Futboll, sonte zhvillohet finalja e Ligës së Evropës

20.05.2026 15:24

Finalja e sotme e UEFA Europa League do të sjellë një duel interesant mes Freiburgut dhe Aston Villa-s në Stamboll...

Finalja e sotme e UEFA Europa League do të sjellë një duel interesant mes Freiburgut dhe Aston Villa-s në Stamboll, aty ku gjermanët synojnë trofeun e parë madhor në histori, ndërsa anglezët kërkojnë rikthimin në majat e futbollit europian. Për  skuadrën e Bundesligës dhe trajnerin  e tyre Julian Schuster kjo do të jetë një mbrëmje historike. Schuster, bëhet trajneri më i ri gjerman në 24 vitet e fundit që drejton një skuadër në një finale europiane. Në anën tjetër Villa luan finalen e saj të parë të UEFA-s që nga fitimi i Kupës së Europës në vitin 1982. Trajneri spanjoll i skuadrës nga Birminghami, Unai Emery, e ka fituar këtë kompeticion  katër herë edhe atë tri herë me Sevilla dhe një herë me Villarreal, por humbi finalen e Europa League me Arsenal FC në sezonin 2018/19. Këto dy skuadra nuk janë përballur kurrë më parë.
 
“Forca jonë është se ne e njohim njëri-tjetrin, stafin, njohim njeriun pas lojtarit. Kjo është forca jonë më e madhe, energjia pas këtij grupi. Qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe sidomos këto ditë secili beson shumë se do ta hedhim edhe hapin e fundit. “Ata kanë një skuadër shumë cilësore. Punojnë mirë së bashku, kanë shumë harmoni dhe forcë, e dinë çfarë duhet të bëjnë. Shumë lojtarë janë në kulmin e karrierës së tyre, me një kombinim të mirë mes përvojës dhe talentit. Ka shumë elemente që mund të përpiqemi t’i kopjojmë dhe kjo është një sfidë e madhe.”, u shpreh Julian Shuster, trajner i Fraiburgut.
 
“Përvojat më të rëndësishme që mund të kemi individualisht janë sigurisht fantastike. Por ne po flasim për përvojën tonë këtu me Aston Villa.  Kemi luajtur shumë ndeshje në Europë dhe këto përvoja janë shumë të rëndësishme për ne – mënyra si kemi luajtur gjatë këtij sezoni, vitin e kaluar, ndeshjet e para dhe të dyta, fazat e ndryshme dhe grupet. Tani kemi një kapitull të ri përpara: të luajmë një finale. Jemi të sigurt në vetvete, por gjithmonë me respekt ndaj kundërshtarit. Freiburgu është këtu sepse e meriton.”, u shpreh Unai Emery, trajner i Aston Villa.