Turqia në kërkim të qeverisë së re, zgjedhjet e reja në dëm të vendit
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka dhënë dorëheqje si pjesë e procedurës për zgjedhjen e një qeverie të re pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve tregon se asnjëra parti nuk mund të qeverisë e vetme...

Ai u ka bërë thirrje forcave politike që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të ruajnë atmosferën e stabilitetit dhe të besimit në vend. Bisedimet për krijimin e një koalicioni qeverisës do të dominojnë në Turqi në javët e ardhshme.
Analistët politik thonë se denoncimi i presidentit si një autokrat nga kundërshtarët e tij është një nga pengesat kryesore të formimit të një koalicioni qeverisës. Është vështirë të krijohet një qeveri koalicioni me AKP-në dhe Erdogan, i cili do të kontrollonte dhe drejtonte atë. Çdo partner i vogël qeveritar do të duhej t’i jepte llogari votuesve të tyre për një veprim të tillë. Në fund të fundit, këto parti ishin shumë të ashpra kundër pushtetit të Erdoganit.
Partneri më i mundshëm i koalicionit është Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Veprimit Kombëtar ose MHP-ja. MHP konkurroi me një platformë që ka për synim përfundimin e procesit të paqes me grupin rebel kurd, PKK. Analistët politik thonë se AKP mund të dëmtojë më tej popullaritetin e saj nëse hynë në koalicion me partinë MHP.
AKP u godit rëndë në masë të madhe nga humbja e votuesve kurdë. Një koalicion ose qeverisje dypartiake me partinë MHP-në do të sillte vdekjen, ose të paktën ngrirjen e procesit të paqes.
Turqia mund të hyjë në një epokë të re politike. Qëndrueshmëria që ka gëzuar vendi në vitet e fundit do të mund të jetë pjesë e së kaluarës. Çfarëdo koalicioni që do të krijohet, ka shumë të ngjarë që të shtojë presionin për organizim të zgjedhjeve të parakohshme, mirëpo nga
AKP-ja kanë përjashtuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të paktën tani për tani, duke thënë se partia është duke u përqendruar në formimin e një qeverie.
Analistët thonë se AKP-ja është e vetëdijshme se zgjedhjet e parakohshme mund t’u shkaktojnë një humbje tjetër. (Fatos Musliu, TVM2)
