Emery shkruan histori, Aston Villa fiton për herë të parë Ligën e Evropës
Futbollistët e Aston Villa...

Futbollistët e Aston Villa për herë të parë në historinë e klubit fituan UEFA Europa League duke mposhtur 3-0 skuadrën gjermane SC Freiburg në finalen e luajtur të mërkurën mbrëma në stadiumin e Beşiktaşit në Stamboll.
Unai Emery e çoi Aston Villën në majat e Premier League, e kualifikoi në Ligën e Kampionëve dhe tani i solli edhe trofeun e parë pas 30 vitesh.
Trajneri spanjoll në finalen e tij të gjashtë në Europa League e fitoi për herë të pestë këtë trofe, pasi më parë kishte triumfuar tri herë radhazi me Sevilla FC (2014, 2015, 2016) dhe një herë me Villarreal CF (2021).
“Të luash është shumë e vështirë. Një finale është gjithmonë shumë e vështirë. Gjatë rrugëtimit në Europa League kishte disa skuadra pretendente ose favorite për të arritur në finale, por ato nuk ia dolën. Ndërsa Freiburgu, për mua, është një ekip që e respektoj shumë, për mënyrën se si i eliminoi skuadrat e tjera në raundet e mëparshme dhe arriti deri këtu. Ata e merituan të jenë në finale. Aston Villa po përjeton momente të mëdha, duke u rikthyer në Ligën e Kampionëve dhe duke ndarë sukseset me tifozët që e kanë ndjekur ekipin kudo në Evropë.” – u shpreh trajner i Aston Villas, Unai Emery.
Interesant është fakti se të gjitha klubet me të cilat Emery ka fituar këtë trofe kanë në emër fjalën “villa”: Sevilla, Villarreal dhe tani Aston Villa.
Për Aston Villën ky është trofeu i katërt europian pas fitimit të Kupës së Kampionëve në 1982, Superkupës Europiane në 1982 dhe Kupës Intertoto në 2001.
Për Freiburgun kjo ishte finalja e parë europiane në histori.
Kjo fitore e Aston Villa-s, ka një peshë edhe për Premier Ligën, e cila sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve mund të ketë 6 skuadra përfaqësuese. (Safet Ademi, TVM2)
