Maqedoni

Debresh, filluan punimet për kanalizimin e ujërave të zeza

10.06.2015 14:32

Në fshatin Debresh kanë filluar sot punimet për ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza...

Në fshatin Debresh kanë filluar sot punimet për ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza, projekt ky i bashkëfinancuar nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e  Gostivarit.
 
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, deklaroi se ky projekt që po realizohet në suaza të programit investues për vitin 2015, në fazën e parë do të kushtojë mbi 10 milion denarë, ndërsa institucioni që ai drejton do të financoë 5 milion denarë, apo rreth 48% të mjeteve të përgjithshme financiare.
 
“Me ndërtimin e kanalizimit në gjatësi prej 1500 metra, do të mbrohet shëndeti publik i popullatës që jeton në fshatin Debresh. Do të sigurohet mbrojtje e mjedisit jetësor, ndërsa do të parandalohet edhe shfaqja e sëmundjeve ngjitëse”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
 
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, deklaroi se me ndërtimin e kanalizimit fekal të fshatit Debresh, ky fshat merr pamjen e një vendbanimi urban dhe po shndërrohet në një paralagje të qytetit, duke shtuar se Komuna e Gostivarit po participon me mjete financiare rreth 2 milion denarë për realizimin e këtij projekti.  
 
“Fshati Debresh, që nuk mund të quhet fshat, sepse tashmë është shndërruar në një paralagje të qytetit, në të ardhmen do të ketë edhe kanalizimin fekal dhe banorët e këtij fshati nuk do të përballen më me problemin e ujërave të zeza. Ishte një premtim parazgjedhor që sot po bëhet  realitet. Ne punojmë që të gjitha vendbanimet e Komunës së Gostivarit të kemi rrjetin e kanalizimit për ujërat e zeza”- tha kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta.
 
Momentalisht, ujërat e zeza nga ky fshat lëshohen në lumin e quajtur Debreshkë, me çka në mënyrë të drejtpërdrejt ndoten ujërat e këtij lumi.
 
Me përdorimin e ujërave të lumit për vaditjen e tokës pjellore, ndoten edhe sipërfaqet bujqësore, andaj ndërtimi i kanalizimit të ujërave të zeza do të zgjidh një problem jetik për banorët lokal.
 
LULZIM HAZIRI