Maqedoni
Zyrtarizohen emrat e dy shkollave në Çair, respektohen dy figura të spikatura të historisë sonë
10.06.2015 15:02
Në mënyrë ceremoniale, në ditën e shënimit të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit u festuan edhe zyrtarisht emrat e rinj të shkollave “Jashar Bej Shkupi” dhe “Hasan Prishtina”...

Zyrtarizimi i emrave të këtyre shkollave në këtë ditë kaq të rëndësishme për shqiptarët, ka një domethënie të veçantë, pasi nga brezat e ardhshëm kjo ceremoni do të mbahet mend si vazhdimësi e projekteve të Lidhjes së Prizrenit dhe është një dëshmi për të gjithë se kjo lëvizje është gjallë dhe nuk do të vdesë kurrë, thanë të pranishmit, duke shtuar se me këtë akt janë respektuar dy figura historike kombëtare.
“Më lejoni që në emër të Ministrisë së Arsimit të gjithë të punësuarve, nxënësve dhe prindërve të nxënësve të Shkollës Fillore “Jashar Bej Shkupi” t’u uroj emrin e ri të shkollës, kurse në veçanti nxënësve u dëshiroj suksese në mësim. Dhashtë Zoti që nga kjo shkollë të dalin prijësit tanë të ardhshëm dhe idetë përparimtare. Jashar bej Shkupi ishte personaliteti që vazhdoi të realizojë programin e Lidhjes së Prizrenit, kurse Hasan Prishtina ishte ideatori i Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, prandaj me këtë akt ne kemi respektuar dy figura të historisë sonë”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Emërtimi i shkollave të Çairit me emrat e dy kolosëve të Rilindjes Kombëtare, Hasan Prishtina dhe Jashar Bej Shkupi, dy ideatorë më të spikatur të pavarësisë së Shqipërisë dhe promotorëve të pandalshëm të gjitha lëvizjeve tjera me prefiks kombëtar dhe me element identitar, është tregues më i mirë se fryma e rilindësve dhe shpirti i lëvizjes për çështje shqiptare jeton”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
‘"Jashar Bej Shkupi’ zyrtarizoi ‘Lidhjen Shqiptare të Prizrenit’, ndërsa ‘Hasan Prishtina’ ishte projektues i krijimit të shtetit shqiptar, e të cilët kishin një synim shpalljen e pavarësisë në Shkup”- theksoi drejtori i ITSHKSH-së, Skender Hasani.
Edhe drejtuesit e shkollës e mirëpritën zyrtarizimin e emrit që në tabelë shkolla e mban tanimë gjatë kohë.
“Prej sot, shkolla jonë mban emrin e patriotit, veprimtarit të shquar në fushën kombëtare, bashkëqytetar i ynë i cili edhe jetonte në afërsi të shkollës, i cili edhe e meriton me veprimtarinë e tij, ai është Jashar Bej Shkupi”- u shpreh drejtori i Sh.F. “Jashar Bej Shkupi”, Muzafer Rexhepi.
Nxënësit e Shkollës Fillore “Jashar Bej Shkupi” e festuan këtë ditë në mënyrën e tyre, me një program me këngë e me valle.
ERSAN PAJAZITI
