Java Kulturore në Kërçovë, promovohen edhe mundësitë investuese -turistike
Ditët e Javës Kulturore të Kërçovës janë një rast i mirë për rritjen e kapaciteteve bashkëpunuese në fushën e kulturës, turizmit dhe zhvillimit ekonomik, tha kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, gjatë takimit me përfaqësuesit e Zyrës Ndërkombëtare të Investimeve për Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, të cilët sot dhe nesër do të qëndrojnë në Kërçovë për të realizuar turnin promocional për mundësitë e zhvillimit ekonomik lokal...

Kërçova është kyçur në disa projekte që kanë krijuar kushte për investime në zonat ekonomike dhe industriale dhe mundësojnë rritjen e kapaciteteve bashkëpunuese, përmes fondeve IPA, projektit të gazifikimit apo ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër-Strugë.
Gjatë këtyre ditëve, mysafirët e ardhur nga Kosova dhe Shqipëria do të ndjekin nga afër edhe zhvillimet e javës kulturore, të cilat kanë zgjuar një interesim të madh tek publiku kërçovar me të gjitha aktivitetet e deritanishme, koncertin klasik, dokumentarin filmik për etnografinë e rrethit të Kërçovës, mbrëmjen e talenteve të rinj, komedinë “Dr. Shuster”, ekspozitën e piktorëve kërçovarë, si dhe promovimin e librave të autorëve: Nexhat Mehmedi, Fisnike Rasimi dhe Dervish Alimi.
Java kulturore do të vazhdojë me koncertin e madh të solistëve kërçovarë, pas të cilit do të vijojnë mbrëmjet poetike, ku do të marrin pjesë poetë nga të gjitha hapësirat shqiptare. (Shaban Dalipi, TVM2)
