Prej nesër fillojnë pushimet verore, nxënësit kërkojnë heqjen e testimit ekstern, arsimtarët ankohen për planprogramet e ngarkuara
Përfundoi viti shkollor. Sot nuk dihet kush është më i lumtur nxënësit, prindërit apo mësimdhënësit...

Nxënësit shprehen të lumtur se muajt e ardhshëm do të jenë të lirë, nuk do të zgjohen në mëngjes dhe do të kenë kohë të lirë për argëtim. Por, sipas tyre, ky vit ishte përplot peripeci. U shoqërua me protesta dhe testim ektsern me gabime përmbajtësore. Nxënësit dëshirojnë që vitin që vjen të mos hasin në probleme të tilla dhe kërkojnë anulimin e testit ekstern.
“Të tërhiqet testi ekstern, sepse arsimtarët shumë mirë dinë të na vlerësojnë”- u shpreh një nxënës.
“Kisha lutur që ta largojnë testimin ekstern, sepse ka qenë i paqartë dhe kanë qenë të rënda pyetjet”- tha një nxënëse.
“Marrëdhëniet me arsimtarët dhe shokët i kemi pasur të mira, por librat dëshiroj që vitin e ardhshëm të jenë pak më të mira për nxënësit që vinë pas nesh”- theksoi një nxënëse.
“Kemi kaluar momente të mira, kemi pasur mësim, por edhe shakara, por kemi pasur problem që librat nuk i kemi pasur të mira dhe kanë qenë të shqyera faqet”- u shpreh një nxënëse.
Edhe për arsimtarët ky vit nuk ka qenë i lehtë. Ata janë përballur me shumë reforma,por edhe më tej kërkojnë që të merren parasysh kërkesat e tyre për realizim cilësor të mësimit.
“Ka shumë reforma që paraprakisht kanë qenë për ne të suksesshme, por nga dita në ditë ngarkesa shumë e madhe e arsimtarëve për fondin e orëve, problemet me libra, këto reforma ne na bëjnë që të mos mundemi t’i përballojmë më”- deklaroi drejtoresha e Sh. F. “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.
“Kisha dashur që në themel të largohet planprogrami i Kembrixhit nëse sjellin kushte që të zhvillohet mësimi me këtë planprogram, se nxënësit e klasës së parë të fillojnë deri në 100 me mbledhje zbritje, për ta është e tepërt”- tha arsimtarja, Naziktere Ameti.
“Planprogramet janë tepër të ngarkuara, unë konkretisht them për në fizikë, tash është me dy orë në javë, ose planprogrami të shkurtohet ose numri i orëve të shtohet, që të mos mbajmë mësim formal”- theksoi arsimtari, Asllan Ramuka.
Kuadri arsimor dhe nxënësit mbeten me shpresë se ankesat e tyre nuk do të hasin në vesh të shurdhër dhe se viti i ardhshëm do të jetë më i suksesshëm.( Flutura Latifi, TVM2)
