Maqedoni
OJQ-të me apel për qytetarët: Vihuni në vendin e emigrantëve, ndihmojuni!
10.06.2015 16:07
Emigrantët që arrijnë deri në Maqedoni, fillojnë këtu të përballen me probleme të tjera nga ato të vendeve nga vijojnë...

Emigrantët që arrijnë deri në Maqedoni, fillojnë këtu të përballen me probleme të tjera nga ato të vendeve nga vijojnë, por që janë po aq të rrezikshme për jetën e tyre.
Edhe kur mendojnë se shpëtuan, ata vuajnë nga uria e etja, abuzimi e keqtrajtimi.
Organizatat humanitare dhe njerëzit i ndihmojnë, por duhet shtuar vetëdija tek të gjithë ne, se ata duhen ndihmuar më shumë, pasi të gjithë duhet të paramendojmë se si do të ndjeheshim ne nëse do të gjendeshim në situata të ngjashme.
OJQ-të kërkojnë edhe ndryshimin e ligjit që të mundet emigrantëve t’u jepet ndihmë nga të gjithë, pasi deri tani kush i ndihmon ata thyen ligjin.
“Na treguan aktivistët që janë në Demir Kapi, që kemi një grua të lënduar, është bërë operacion dhe është me 5 fëmijë, d.m.th. fëmijët qajnë, gruaja është 50 për qind e vdekur, mirëpo nuk e lejuan të hipë në tren, kërkuan ndihmë, por ndihmën nuk e gjetën askund, prandaj i lusim të gjithë që sa më shpejt të vijë ky ligj”- deklaroi aktivistja në Organizatën Humanitare “Legis”, Blerta Daci.
“Një lutje tek të gjithë ata të cilëve iu bie në dorë rasti i emigrantëve, le ta vendojnë veten e vet në rastin e emigrantit, le ta vendojnë fëmijën e vet, bashkëshorten e vet, pastaj të vendosin çka të veprojnë, d.m.th. shohin mënyrën më brutale, të keqpërdoren, merren me ta, ua marrin të hollat sa s’ka nevojë, kur dihet se tek ne standardi si është, me taksi një destinacion kushton 200-300 denarë, ata atyre u marrin 50-100 euro. Presim nga organet shtetërore më shumë të angazhohen”- tha sekretari gjeneral në “El-Hilal”, Ali Sadiku.
Në mesin e emigrantëve ka shumë pleq, fëmijë, gra shtatzëna, të gjithë janë të rraskapitur, luten për ujë dhe nëse ka mundësi dikush t’i çojë deri në kufi.
Nga organizatat humanitare kërkojnë që të sillet ligj për të drejtat e emigrantëve.
Ditëve të fundit numri i emigrantëve të cilët kanë humbur jetën në stacionet hekurudhor të vendit është rritur dukshëm, rast më tragjik ishte ai i vdekjes së 14 emigrantëve të cilët u goditën nga treni që po udhëtonte në destinacionin Veles-Shkup.
Ndërsa rasti më i fundit është rrokullisja e një furgoni me 18 emigrantë, shumica e të cilëve përfunduan në spital.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
