Maqedoni

Ligji për Azil në procedurë qeveritare, Çavkov: Synohet zbutja e emigracionit ilegal

10.06.2015 16:11

Si pasojë e katërfishimit të emigrantëve ilegal që synojnë kalimin transit në Maqedonisë në pesë muajt e parë të vitit, qeveria ka nisur ndryshimet e Ligjit për Azil...

Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, në forumin e iniciativës MARRI, që merret me emigracion, azil dhe refugjatët, tha se ndryshimet e tilla të Ligjit për Azil pritet të reflektojnë në zbutjen e këtij fenomeni me përmasa ndërkombëtare, ndërsa emigrantët të mos bëhen pre e kontrabandimit. Kohëve të fundit është folur edhe për ekzistimin e kampeve ilegale ku mbahen emigrantët.
 
Ministri Çavkov thotë se kanë njohuri për zhvillime të tilla dhe policia po punon në kapjen e grupeve kriminale, ndërsa janë shtuar edhe paditë penale për keqtrajtim të emigrantëve.
 
“Ky ndryshim është në procedurë qeveritare dhe unë shpresoj që shumë shpejt do të kalojë dhe konsideroj se do të japë inpuls në zvogëlimin e këtij fenomeni ndërkombëtar”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Luftës kundër emigracionit iu bashkëngjit edhe Kosova, duke u bërë anëtare e iniciativës rajonale, MARRI.
 
“Është ditë e rëndësishme për Kosovën. Kosova përfundimisht po bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate rajonale që merret me migrim, me azil, me riatdhesim dhe është patjetër ngjarje shumë e madhe”- tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni.
 
Shqipëria, vitet e fundit në vendkalimet kufitare me Greqinë ka arritur të evidentojë rreth 32% më shumë persona të cilët synojnë kalimin nëpërmjet Shqipërisë drejt BE-së, ndërsa vitin e shkuar ka miratuar edhe Ligjin për Azil.
 
“Në këtë ligj janë respektuar të gjitha standardet dhe kërkesat ndërkombëtare për azilin dhe si rezultat i tij së fundi u arrit që të prodhohet edhe dokumenti për refugjatët, që është karta e identitetit elektronik me element biometrik, si dhe dokumenti i udhëtimit për këta persona të jetë elektronik dhe me të dhëna biometrike”- theksoi përfaqësuesi nga Shqipëria, Besnik Shehu.
 
Iniciativa rajonale, MARRI, është formuar tanimë 10 vite, me gjashtë anëtare vende të rajonit. Prej sot, për një vit me të do të kryesojë Mali i Zi.
 
MERAL ISMAILI