Shqipëria e shpalli Isa Boletinin “hero të popullit”, Kosova ia përmbushi dëshirën që të prehet në Boletin

10.06.2015 17:09

Në Boletin të Mitrovicës u bë rivarrimi i eshtrave të gjeneralit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Isa Boletinit...

Paraprakisht, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë u mbajt manifestimi i lamtumirës së fundit të heroit kombëtar. Gjysh i dashur, gjysh të qoftë i lehtë dheu i Kosovës dhe Boletinit, theksoi në emër të familjes Boletini stërnipi i tij, Gazmend Boletini, i cili njëherit falënderoi institucionet e Kosovës dhe gjithë popullin shqiptar për ceremoninë madhështore të rivarrimit.

“Nëntëdhjetë e nëntë vite pas vrasjes së gjeneralit, gjithë shqiptarët kudo që janë po i bëjnë nderimet më të mëdha të jetës dhe veprës së Isa Boletinit. Dua të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat në mënyrë më të mirë të mundshme i organizuan ceremonitë nderuese për bacën Isë”- deklaroi stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini.

Nderime për gjeneralin e Ismail Qemalit bënë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, duke filluar nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, e deri te përfaqësuesit nga Maqedonia, lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

“Brezi i Isa Boletinit luftoi me ëndrrën e lirisë, për gjithë shqiptarët. Luftoi për një njësi shtetërore kombëtare për gjatë mbarë viseve, për të cilën me shekuj kishin luftuar pararënësit”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Gjithçka për Isa Boletinin, gjithçka na la Isa Boletini, na çon në këtë drejtim kah identiteti, kah liria, dinjiteti dhe Evropa. Sot është një ditë e shënuar për Kosovën, sot është një ditë e shënuar e kombit shqiptar, pasi Isa kthehet në shtëpi pas një udhëtimi të gjatë mes përmes honeve të historisë, por ai kthehet si fitimtarë, si ngadhënjyes për t’u prehur në amshimin rrethuar nga dashuria e një kombi të tërë”- u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Në fshatin simbol, në Boletinin e Isës së madh, në vendlindjen, dhe prej sot edhe në vendprehjen e burrit që i dha kuptim lirisë, që e madhëroi Kosovën e që e bëri Shqipërinë. Sot ne që jemi këtu me të drejtë duhet të ndjehemi të privilegjuar, sepse marrim pjesë në rivarrimin e Isë Boletinit, e më të madhit luftëtar të fillim-shekullit të 20”- theksoi përfaqësuesi nga Maqedonia, Talat Xhaferi.

“Unë dua të ju them se Isa Boletini nuk shkoi në Vlorë që të përfaqësojë vetëm Kosovën, por edhe të gjithë shqiptarët. Pra mos të harrojmë edhe amanetin e tij, duhet të gjithë që të kujdesemi për të gjithë shqiptarët kudo që janë”- tha kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu.

“T’ia përcjellim bacës Isë se sot baci Isë Shqipëria është vend i pavarur dhe në NATO, me pretendime në Bashkimin Evropian, po ashtu edhe Kosova shtet i pavarur, por Luginën nuk e ke mirë, andaj dua të gjithë të punojmë në atë drejtim së bashku”- u shpreh kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.

Isa Boletini ia kushtoi gjithë jetën çështjes shqiptare. Luftëtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit, delegat i Kosovës në Shpalljen e Pavarësisë, figura më emblematike e periudhës më të lavdishme për shtetin shqiptar.

Me 23 janar 1916 u vra pabesisht në moshën 52 vjeçare, në kulmin e veprimtarisë së tij luftarake diplomatike. “Unë jam mirë kur është mire Shqipëria”- thoshte Isa Boletini.

Në 50 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1962, shteti shqiptar i dha atij titullin që meritonte, e shpalli hero i popullit. Sot shteti i dytë shqiptar, Kosova, i përmbushi atij dëshirën e tij të dytë për t’u prerë i qetë në Boletitinin e Veriut të Mitrovicës. (Gyltene Sinani, TVM2)