Maqedoni
Kurban Bajrami, kreu shtetëror uron për shoqëri më të bashkuar
27.05.2026 13:51
Kreu shtetëror ka uruar besimtarët myslimanë festën e Kurban Bajramit....

Kreu shtetëror ka uruar besimtarët myslimanë festën e Kurban Bajramit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në urimin e saj shprehet për solidaritet, bashkim dhe respekt të ndërsjellë. Ajo vlerëson se Kurban Bajrami, përmes simbolikës së tij të thellë të sakrificës dhe bujarisë, përcjell vlera të rëndësishme për pjekurinë morale të shoqërisë: humanizmin, empatinë, solidaritetin dhe përgjegjësinë ndaj tjetrit.
“Aftësia për të ruajtur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në kohë sfidash dhe dallimesh, është tregues i integrimit dhe pjekurisë së shoqërisë. Përmes mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe kulturës së respektit, dallimet mund të shndërrohen në urë bashkimi dhe jo në pengesë, duke kontribuar në forcimin e unitetit në shoqëri.”, - thuhet në urimin e presidentes Siljanovska Davkova.
Sipas kryeparlamentarit Afrim Gashi, festa e Kurban Bajramit na kujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, ndarjen e mirësisë me familjen, fqinjët dhe me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore.
“Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni në shoqërinë tonë, duke forcuar bindjen se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, ju uroj që kjo festë të sjellë mirëqenie, shëndet, paqe shpirtërore dhe lumturi në familjet tuaja.”, - thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Kryeministri Hristijan Mickoski u ka dëshiruar besimtarëve mysliman shëndet, paqe dhe mirëqenie. Kryeministri bëri thirrje për ndërtimin e një shoqërie me më shumë mirëkuptim, unitet dhe respekt.
“Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe kujdesit për të afërmit. Në frymën e kësaj feste, le të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit, unitetit dhe respektit, ku dallimet janë forca jonë dhe bashkimi e ardhmja jonë. Qofshin ditët e festës të mbushura me gëzim, ngrohtësi dhe shpresë, ndërsa çdo familje me dashuri, paqe dhe begati.”, - ka shkruar kryeministri Mickoski.
Mesazhe urimi kanë dërguar edhe nga VLEN, ku thuhet se festa kujton vlerat e sakrificës dhe afërsisë me njëri tjetrin. Nga BDI me të uruar festën janë shprehur të përkushtuar që së bashku me qytetarët, të vazhdojë rrugën e bashkëpunimit, duke ndërtuar një shoqëri të barabartë. Kryetari i ASH-së Arben Taravari, por edhe Zijadin Sela kanë dëshiruar mirëqenie për qytetarët. Në urimin e kryesocialdemokratit Venko Filipçe, thuhet se forca e një shoqërie qëndron te humanizmi dhe gatishmëria për t’i tejkaluar së bashku sfidat.
MERAL ISMAILI
