Kuvendi ratifikon marrëveshjen RM-BE, IPA2, 665 milionë euro në dispozicion për RM-në

10.06.2015 17:26

Rreth 665 milionë euro nga fondet IPA2 janë në dispozicion për Maqedoninë, në periudhën 2014-2020...

Kuvendi ratifikoi marrëveshjen mes Maqedonisë dhe KE-së për procedurat e realizimit të ndihmës financiare nga BE, IPA2. Fondet mund të shfrytëzohen për zbatimin e reformave dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE. Fondet IPA2 mund të shfrytëzohen për projekte në fushën e demokracisë dhe sundimit të shtetit ligjor, në fushën e gjyqësorit, të drejtave të njeriut, ambientin dhe ndryshimet klimatike, në fushën e politikave sociale dhe atë të zhvillimit rural.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, tha se marrëveshja dhe shfrytëzimi i këtyre fondeve do të mundësojë përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

“Me këtë do të krijohet një mundësi për shtatë vitet e ardhshme, për përkrahje financiare nga BE në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së. Me ratifikimin e këtij dokumenti, nga Parlamenti i Maqedonisë do të mundësohet operacionalizimi dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve për periudhën 2014-2020”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.

Ndërkaq, deputetët kërkuan shfrytëzim më të madh të fondeve IPA2 krahasuar me fondet IPA1, të cilat, sipas deputetëve, nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm.

Deputetja, Nora Haliti, madje, përveç shfrytëzimit më të madh të fondeve, kërkoi edhe transparencë më të madhe dhe llogaridhënie para kuvendit.

“Ne tani duhet të insistojmë për një mbikëqyrje të rregullt dhe jo vetëm sporadike. Rregullat janë strikte dhe ashtu duhet të jenë. Askush nuk të jep 664.2 milionë euro për t’i bërë rrush e kumbulla, pavarësisht se sa të aftë mund të jemi për një gjë të tillë”- tha deputetja e BDI-së, Nora Haliti.

Këto fonde nuk janë as lëmoshë dhe as donacion, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. Sipas tij, këto fonde i ndahen Maqedonisë shkaku i përcaktimit të saj evropian si mbështetje për procesin e reformave.

Në kuadër të instrumentit për ndihmë paraqasëse IPA2, BE ka vënë në dispozicion për Maqedoninë rreth 89 milionë euro, vetëm për vitin 2015. Po aq fonde për çdo vit i bie të jenë në dispozicion edhe në pesë vitet e ardhshme. Pritjet për shfrytëzim më të madh të fondeve bazohen edhe në faktin që komponenta e re nuk ka kritere strikte për shfrytëzimin e fondeve dhe mjetet mund të alokohen. (Shpëtim Nuredini, TVM2)