Republika e Kosovës, filloi fushata për zgjedhjet e 7 qershorit
Partitë politike në Kosovë zyrtarisht filluan fushatën...

Partitë politike në Kosovë zyrtarisht filluan fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit, edhe pse tubimet dhe takimet me qytetarë i kishin nisur menjëherë pasi u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje e nisi fushatën nga Ferizaji, prej ku kryetari i kësaj partie, kryeministri në detyrë Albin Kurtit kërkoi mbi 60% të votave që siç tha ai opozita të mos mund të bëhet pengesë për funksionimin e institucioneve dhe qeveria t’i vazhdojë punët e mira në interes të qytetarëve dhe shtetit.
"Gjatë këtij mandati që lamë pas kemi punuar për nënat dhe fëmijët, për veriun, për bujqësinë e për ushtrinë e këto vazhdojnë. E në mandatin e ri kërkoj mbështetjen tuaj që ta nisim zhvillimin ekonomik e industrial më të madh që është bërë ndonjë herë. Çdo vit së paku një miliard euro për investime kapitale dhe në katër vjeçarin e ardhshëm do të kemi një miliard euro për prodhimtarinë e një miliard euro për ushtrinë". – deklaroi Kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
Por nga tubimi i PDK-së po në Ferizaj, kreu i kësaj partie Bedri Hamza, nuk i kurseu kritikat ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, pasi sipas tij nga qeverisja aktuale Kosova ka stagnuar në të gjitha fushat.
"Kosova është në krizë. Krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike dhe krizë shprese. Kjo krizë ka një shkaktarë, kjo krizë është rezultat i gjashtë viteve të arrogancës, konfliktit dhe mungesës së rezultateve". – tha Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Listës së LDK-së kësaj rradhe i prin ish presidentja Vjosa Osmani Sadriu, e cila nga tubimi në Prishtinë ftoi për kthim te rugovizmi, ndërsa nuk la pa thumbuar Vetëvendosjen dhe kryeministin në detyrë Albin Kurti, duke theksuar se ato i takojnë të kaluarës.
"Të kaluarës do t’i takojë pilitika që nxitë vetëm përçarje ndërmjet shteteve. Të kaluarës do t’i kalojë politika që ndjellë frikën dhe ndërton armiq imagjinar. Të kaluarës do t’i takojë politika që kërkon nënshtrim e jo mendim të lirë, politika që nuk ngopet kurrë nga kontrolli total mbi çdokënd dhe gjithçka." – deklaroi Vjosa Osmani Sadriu, kandidate e LDK-së për presidente.
Ndërsa kreu i Aleancës, Ardian Gjini nga Gjakova, ka lëshuar akuza për mashtrim ndaj kryeministrit Kurti.
"Mundet me ndodh edhe ka ndodhë në histori që disa njerëz të mashtrumë edhe me dashtë mashtruesin, por mos harroni edhe të mashtrumin e dojnë mashtruesin, dashnia e tyre nuk e ndryshon mashtruesin, nuk ia nxjerr të keqtrajt prej zemrës, dashnia e tyre veç çka e bën edhe më mashtrues". – theksoi Kryetari i Aleancës dhe njëherit i qytetit të Gjakovës, Ardian Gjini.
Në garë për 100 ulëse në Kuvendin e Kosovës për të cilat garojnë partitë shqiptare është edhe PSD e Dardan Molliqajt. Ndërsa partitë e minoriteteve garojnë për 20 ulëset e garantuara edhe atë 10 për pakicën serbe dhe 10 për pakicat tjera. (Gyltene Sinani, TVM2)
