Kadetët e Shkëndijës kampion të Maqedonisë
Shkëndija i ka rrëmbyer Vardarit nga duart titullin e kampionit në konkurencë të kadetëve...

Të mërkurën me ndeshjet e xhiros së 22-të mbylljet sezoni garues për kadetë, ndërsa Vardari kishte 3 pikë më shumë se Shkëndija dhe dueli direkt në Tetovë do të vendoste për fituesin e titullit.
Barazimi bënte kampion ekipin nga Shkupi, mirëpo ‘vogëlushët’ e Shkëndijës fituan me rezultat 3:2 me një gol të shënuar në minutën e fundit, duke kurorëzuar në mënyrën më të mirë një vit të shkëlqyeshëm në këtë kategori të futbollistëve. Shkëndija mbylli sezonin me 48 pikë, aq sa ka edhe Vardari, por titulli i takon Shkëndijës falë bilansit më të mirë në ndeshjet ndërmjet veti me ekipin shkupjan.
Fakti që ndeshja do të vendoste për fituesin e titullit tërhoqi interes të madh dhe në tribuna u gjetën mbi 300 shikues.
Shkëndija që në fillim bëri me dijë se kërkon titullin e kampionit dhe sulmonte nga minuta e parë. Loja e këtillë solli rezultat në minutën e 20-të, kur Besnik Shabani shënoi për epërsi dhe gëzim të madh.
Mirëpo titulli fitohet me djersë dhe shumë mund dhe futbollistët e Shkëndijës pas vetëm 60-të sekondave pranuan gol kur shënoi Teodor Dimitrovski dhe me rezultatin 1:1 Vardari ishte kampion. Gjërat o përkeqësuan në fillim të pjesës së dytë kur pa kaluar katër minuta Edis Hamziq realizon për epërsi 1:2 të Vardarit.
Kur dukej se trofeu i kampionit mori rrugën drejt Shkupit, djelmoshat e Berat Imerit dhe Elbasan Munishit dhanë një sforco të madhe dhe kuptuan se heronjtë shihen në momente të vështira. Pas disa rasteve të humbura në minutën e 78-të Shefit Shefiti solli simetri në rezultat për barazim 2:2, që gjithsesi i konventonte Vardarit.
Minutat e fundit i ngjanin një drame të vërtetë, por me një fund të lumtur për Shkëndijën që arrin të gjejë golin e vlefshëm titull, me anë të Ard Kasamit në minutën e 90-të.
Festë e madhe kaploi kampin ‘kuqezi’, me heronjtë e Shkëndijës që morën shpërblimin në sekonadat e fundit.
Më pas ishte i kotë vazhdimi i egzagjeruar i lojës nga arbitri Josip Barton, pasi Shkëndija nuk kishte ndërmend të heqë duart nga trofeu i më të mirit në këtë kategori garash.
