Maqedoni
Ligji i ri për duhanin, Mickoski: Nuk do të ketë të privilegjuar
30.05.2026 14:30
Të martën në seancë qeveritare do të diskutohet Propozim-ligji për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme...

Të martën në seancë qeveritare do të diskutohet Propozim-ligji për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme, ndërsa më pas ai do të procedohet për miratim në Kuvend. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze në të gjithë territorin e vendit dhe se nuk do të ketë individë, rajone apo objekte gastronomike të privilegjuara. Sipas tij, ligji do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit, ndërsa sektori gastronomik do të ketë një periudhë kalimtare prej 12 muajsh për përshtatjen e tarracave dhe hapësirave sipas rregullave të reja.
“Inspektimet do të jenë rigoroze në të gjithë territorin e shtetit, e përsëris në të gjithë territorin. Nuk do të ketë rajone të privilegjuara, qytete apo vendbanime. Kudo që nuk respektohet ligji, unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë pardon. Kjo qeveri në periudhën e kaluar ka miratuar dhe hartuar disa zgjidhje ligjore, për të cilat shumë njerëz na kanë thënë se mund të dëmtojnë reputacionin politik, por ne kemi vendosur të hyjmë në këto procese sepse vlerësojmë se në këtë mënyrë do të mbrojmë më shumë jetë njerëzore.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se ligji përfshin edhe produktet e reja të nikotinës, si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit pa djegie, ndërsa ndalon përdorimin e tyre pranë institucioneve shëndetësore dhe arsimore, si dhe në automjete ku ndodhen fëmijë.
“Ai siguron një mjedis me ajër të pastër të hapësirave publike të mbyllura dhe në vende të punës duke e mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe të punonjësve në shtetin tonë. Këtu përfshihen edhe produktet e reja përfshi cigaret elektronike dhe produktet e duhanit pa djegie, rrit mbrojtjen e fëmijëve përmes zvogëlimit të normalizimit të produkteve të duhanit, kufizim të pranishëm të tij nëpër shkollat publike dhe private dhe në automjete private ku është i pranishëm edhe fëmijë brenda si dhe në një largësi nga 20 metra nga hyrja e institucioneve shëndetësore, arsimore dhe institucionale në shtetin tonë. Ligji thithashtu mbyll zonën gri sa i përket teracave.”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ligji ka marrë mbështetje edhe nga industria e duhanit dhe sektori gastronomik, të cilët vlerësuan qasjen përfshirëse gjatë përgatitjes së tij dhe periudhën njëvjeçare të përshtatjes.
“E theksojmë se i mbështesim fuqishëm përpjekjet për mbrojtje më të madhe të të miturve, përfshirë kufizimin e qasjes, shitjes dhe përdorimit të produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme nga ana e tyre, një parim që ne si kompani e zbatojmë përmes mekanizmave dhe programeve konkrete.”, u shpreh Vasko Ristoski, përfaqësues i Odës Ekonomike, i angazhuar për industrinë e duhanit.
“Shprehim mirënjohje ndaj kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë për qasjen gjithëpërfshirëse dhe partneritetin në hartimin e ligjit, si dhe për zbatimin me faza, përkatësisht periudhën njëvjeçare të tranzicionit, gjatë së cilës ne si sektor i gastronomisë do të kemi mundësi t’i përshtatim tarracat tona në përputhje me zgjidhjet e reja ligjore.”, u shjpreh Perica Golomejiq, përfaqësues i sektorit të gastronomisë.
Ligji, i cili është përgatitur pas konsultimeve me institucionet, organet inspektuese, industrinë e duhanit, sektorin gastronomik dhe opinionin profesional, synon mbrojtjen e shëndetit publik, të fëmijëve, joduhanpirësve dhe punëtorëve. Ai nuk ndalon prodhimin apo shitjen e produkteve të duhanit, por rregullon përdorimin dhe promovimin e tyre në hapësirat ku mund të ndikojnë në shëndetin e qytetarëve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, duhani lidhet me mbi 3.600 vdekje në vit në vend, ose rreth 13 për qind të të gjitha rasteve të vdekjes. Humbjet ekonomike vlerësohen në mbi 600 milionë euro në vit, ndërsa 13,6 për qind e të rinjve nga mosha 13 deri në 15 vjeç përdorin produkte të duhanit ose nikotinës, niveli më i lartë që nga viti 2002.
FLORIJE KAMBERI
