Maqedoni

Petrova: Bullgaria nuk tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2022

30.05.2026 14:47

Petrova i dërgoi një mesazh Maqedonisë, duke theksuar se Bullgaria nuk do të tërhiqet nga ajo që është dakorduar në vitin 2022....

Ministrja e Punëve të Jashtme bullgare, Velislava Petrova, i dërgoi një mesazh Maqedonisë, duke theksuar se Bullgaria nuk do të tërhiqet nga ajo që është dakorduar në vitin 2022.
 
“Kjo nuk është çështje e problemeve dypalëshe, por e marrëdhënieve ndërmjet një vendi kandidat dhe Bashkimit Evropian.”, deklaroi Petrova për televizionin nacional bullgar.  
 
Sipas shefes së diplomacisë bullgare, autoritetet në Maqedoni duhet ta shfrytëzojnë “dritaren e hapur” aktuale për zgjerimin e BE-së, në vend që të përshkallëzojnë tensionet me Sofjen. 
 
“Shpresoj që Maqedonia të gjejë një qasje që do ta përqendrojë vëmendjen në përmbushjen e obligimeve, e jo në kërkimin e konfliktit me Sofjen.”, tha ministrja Petrova, duke shtuar se në Bullgari ekziston unitet i plotë politik për këtë çështje.
 
Mickoski: Kjo Qeveri nuk i përmbushë kushtëzimet bullgare 
 
Por kryeministri Mickoski thotë se nëse autoritetet bullgare mendojnë se për tu bërë pjesë e BE-së Maqedonia duhet ti pranojë kërkesat e tyre, kjo qeveri siç tha ai nuk do të lëvizë as një milimetër.
 
“Ata do të thonë se ju dëshironi të vini në klubin ku jemi ne, e jo ne në klubin ku jeni ju, por kjo është kushtëzim dhe bullizim. Nëse besojmë dhe rrimë te vlerat evropiane, atëherë duhet të besojmë dhe qëndrojmë te vlerat evropiane. Ndërsa nëse ata mendojnë se janë atje dhe për të qenë ne atje duhet ti pranojmë kërkesat e tyre atëherë kjo qeveri atë lojë nuk dëshiron ta luaj dhe derisa unë jam kryeministër derisa nuk shohim dërgesë nga ana e tyre ne nuk do të lëvizim as një milimetër. Marrëdhëniet e mira nderfqinjësore janë rrugë dykahëshe, nuk mund të vallëzoni tango të vetëm.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
VMRO-DPMNE: Filpiçe i dërguar special i Radevit 
 
Ndërkohë partia e kryeministrit Mickoski VMRO-DPMNE e ka akuzuar kreun e LSDM-së opozitare Venko Filipçe se si të dërguar special të kryeministrit bullgar Rumen Radev.
 
“Filipçe si i dërguar special i Rumen Radevit, i sinkronizon qëndrimet e tij me Bullgarinë dhe e paraqet Maqedoninë si Problem, ndërsa kërkesat bullgare si kushte evropiane. Retorikën e njëjtë e dëgjojmë edhe nga Viktor Stojanov nga Fondacioni Maqedonia, i cili është person i pa dëshiruar në Maqedoni, ndërsa organizata e tij në Maqedoni, vepron me qëndrime të orientuara kundër identitetit maqedonas, me mohimin e veçurisë maqedonase me përpjekje që historia maqedonase të paraqitet si bullgare. Filipçe është edhe në linjë të njëjtë me ministren e jashtme të Radevit, Petrova Çamova. Të dy e përsërisin e Maqedonia bisedon me BE-në e jo me Bullgarinë. Por e vërteta është e qartë se pikërisht bullgaria e udhëhequr nga interesat historike dhe politike e bllokon dhe i vendosë veto Maqedonisë në rrugën drejtë BE-së.”, tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Mickoski po e çon vendin drejtë izolimit
 
Por nga LSDM janë kundërpërgjigjur se Mickoski nuk ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve, prandaj kanë përsëritur qëndrimin për referendum për euro integrimet. 
 
“Qeveria të mos ikë nga përgjegjësia, por të shpallë referendum dhe t’u lejojë qytetarëve të vendosin vetë për të ardhmen e shtetit. Qeveria nuk mund të fshihet pas arsyetimit se nuk ka para për një referendum në të cilin qytetarët duhet të vendosin për çështjen më të rëndësishme… Mickoski thotë se “do ta paguajmë çmimin” dhe se duhet “të presim me dekada” për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk është Mickoski ai që do ta paguajë çmimin. Nuk janë ministrat dhe funksionarët e Qeverisë, të cilët tashmë kanë siguruar pasaporta bullgare, përkatësisht evropiane, për veten dhe familjet e tyre. Çmimin do ta paguajnë qytetarët.”, theksojnë nga LSDM. 
 
Nga kjo parti njëherit rikujtojnë se ka mbetur vetëm edhe një ditë, deri më një qershor, afati deri kurë Mickoski premtoi se do t’i përmbushte plotësisht të gjitha pikat e Agjendës së Reformave dhe obligimet për vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit. Por sipas LSDM-së nuk ka reforma, por ka vetëm Stoilkoviqin dhe Kinën, të cilët në mënyrë strategjike veprojnë kundër partnerit strategjik, SHBA-së. 
 
“E papërfunduar mbetet edhe detyrimi kyç, përfshirja e pakicave në Kushtetutë, hap pa të cilin Maqedonia nuk mund të vazhdojë përpara drejt BE-së. Pa përmbushjen e këtij obligimi nuk ka hapje të kapitujve të ardhshëm, nuk ka përparim në negociata, nuk ka qasje në mundësi dhe fonde të reja evropiane, nuk ka zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.”, theksojnë nga LSDM. 
 
Sipas partisë opozitare Mickoski dhe VMRO po e shtyjnë Maqedoninë drejt izolimit.
 
FLORIJE KAMBERI