Maqedoni

Lojërat sportive të SPOGJ-it në Mal të Zi, Petrushevski: Luks nga anëtarësimet e sindikalistëve

30.05.2026 15:03

VMRO-DPMNE akuzon kryetarin e Sindikatës së punëtorëve në organet gjyqësore se nga anëtarësimet e sindikalistëve ka organizuar lojëra sportive në Mal të Zi...

VMRO-DPMNE akuzon kryetarin e Sindikatës së punëtorëve në organet gjyqësore, Tërpe Deanoski, se nga anëtarësimet e sindikalistëve ka organizuar lojëra sportive në Mal të Zi, që njëherit, pretendojnë se pjesëmarrës kanë qenë personat që ka kanë dalë në protestë, anëtarë të SPOGJ-it dhe LSM-së. VMRO këtë e quan luks me kosto dhjetëra mijë euro. Punëtorët në vend meritojnë përfaqësim sindikal të ndershëm dhe të përgjegjshëm, e jo funksionarë sindikalë që nga anëtarësimet e tyre krijojnë beneficione për veten, thonë nga VMRO.
 
“Udhëheqja e LSM-së e ka humbur plotësisht orientimin dhe nuk jeton në realitet, sepse Deanoski, në vend që të luftojë për punëtorët dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, po largohet gjithnjë e më shumë nga baza dhe nga populli, duke ndjekur shembullin e Trendafilovit. Për të marrë pjesë në lojërat sportive të SPOGJ-it, është dashur të jesh anëtar i sindikatës. Nga anëtarë të zhgënjyer të sindikatës, sipas pretendimeve, mësohet se përparësi u është dhënë sindikalistëve që kanë qenë anëtarë të LSDM-së. Deanoski duhet të përgjigjet menjëherë nëse ata që protestuan së bashku me të dhe me Trendafilovin janë shpërblyer me pjesëmarrje në lojërat sportive luksoze në vendin turistik Çanj të Malit të Zi, me vlerë mbi 60.000 euro.”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Deanoski: Pjesëmarrësit i paguajnë vetë shpenzimet
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Sindikatës së punonjësve të organeve të gjyqësorit. Trpe Deankvski sqaron se për këto lojëra gjithçka ka qenë transparente ndërkaq pjesëmarrësit vetë i kanë mbuluar shpenzimet. 
 
“Në Mal të Zi u zhvilluan Lojërat Sportive Sindikale, të 31-at me radhë që organizohen nga SPOGJ-i, ndërsa pjesëmarrësit i paguajnë vetë shpenzimet nga xhepi i tyre. Lojëra të punëtorëve, të paguara nga punëtorët, për punëtorët. Asgjë e fshehtë, asgjë luksoze, asgjë e mbuluar. Por ja që, kur sindikata bëhet shumë e zëshme për të drejtat e punëtorëve, për pagën minimale dhe për jetën që po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, atëherë papritur edhe lojërat sportive quhen “luks”. Interesante, apo jo? Kur punëtorët paguajnë për lojërat e tyre, papritur bëhet problem. Kur punëtorët paguajnë për politikanët, atëherë është në rregull. Ky është dallimi.”, thuhet në reagimin e Trpe Deankvskit.  
 
Nga kjo sindikatë shtojnë se, megjithatë, nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga lufta për paga dinjitoze, për kushte të ndershme pune dhe që punëtori të mos jetë i fundit në shtetin e vet. Sipas tyre, punëtorët e dinë shumë mirë se kush qëndron në anën e tyre.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAU