Maqedoni
LSDM: Mickoski nuk dëshiron ekstradimin e Gruevskit
30.05.2026 15:15
Sipas LSDM-së po të kishin dashur Mickoski dhe Filkov, kërkesa për ekstradim e Gruevskit do të ishte dërguar prej kohësh....

Pas njoftimeve se ish kryeministri Nikolla Gruevski është pajisur me shtetësi të Hungarisë, LSDM-ja opozitare ka akuzuar kryeministrin Mickoski se e ka ditur këtë dhe me vetëdije i ka mashtruar qytetarët. Sipas LSDM-së po të kishin dashur Mickoski dhe Filkov, kërkesa për ekstradim do të ishte dërguar prej kohësh, menjëherë pas njoftimeve të kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar, i cili para më shumë se një muaji tha se Hungaria nuk do të jetë më strehë për kriminelët.
“Ashtu si për gjithçka tjetër, siç gënjeu për kthimin e emrit, për anulimin e Marrëveshjes së Prespës, siç gënjeu se identiteti maqedonas ishte i rrezikuar. Kështu veproi edhe për Gruevskin. Prandaj Mickoski deklaronte se Gruevski do të arrestohej dhe për këtë arsye deri më sot nuk ka dërguar dokumente për ekstradimin e tij në Maqedoni. Gjithçka është e qartë. Ka kaluar më shumë se një muaj që kur u njoftua se në Ministrinë e Drejtësisë po përgatiteshin dokumentet për ekstradim. Qytetarët dëgjonin njoftime se dokumentet po përgatiteshin, se ishin në rrugë, se procedura për një kërkesë të re ishte në vazhdim. Dhe çfarë ndodhi? Dokumentet nuk u dërguan kurrë. Dje, Ministria e Drejtësisë njoftoi se procedura e ekstradimit vazhdon pavarësisht informacioneve për shtetësinë hungareze. Por edhe kjo është një deklaratë e rreme për të krijuar përshtypjen se po punohet diçka.”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Sipas LSDM-së Mickoski nuk e dëshiron kthimin e Gruevskit sepse kjo do ta rrezikonte drejtpërdrejt pozitën e tij në VMRO. Paraprakisht kryeministri Mickoski ka deklaruar se nuk ka informata se Gruevski është pajisur me shtetësi hungareze.
Minsitria e Drejtësisë: procedura për ekstradimin e Gruveskit vazhdon
Nga Ministria e Drejtësisë kanë njoftuar se pavarësisht pretendimeve për shtetësi hungareze, Nikolla Gruevski mbetet shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe procedura për ekstradimin e tij vazhdon në përputhje me ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare.
“Pavarësisht të gjitha spekulimeve dhe informacioneve jozyrtare për statusin eventual që ai mund ta ketë në Hungari, Nikolla Gruevski mbetet shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe person që është subjekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe procedurave aktive”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAU
