Nuk ka fitues në Sarajevë, Maqedonia - Bosnja dhe Hercegovina barazojnë pa gola!

30.05.2026 17:26

Përfaqësuesja e Maqedonisë dhe ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës, zhvilluan një takim në një atmosferë të shkëlqyeshme futbollit por munguan golat....

Para 30.000 tifozëve në stadiumin “Asim Ferhatović Hase” në Sarajevë, Maqedonia barazoi pa gola  me Bosnjën dhe Hercegovinën. Ishte kjo një ndeshje  e cila u zhvillua në një atmosferë impozante, që cilësia e saj të plotësohej me tundjen e rrjetave kundërshtare. Megjithatë në takim u veçuan dy raste të mira nga pjesa e parë. Që në minutën e 4-t, Hamed Bazhdar  për mrekulli asistoi për Alajbegoviç, i cili me një aksion individual të shkëlqyer kaloi disa lojtarë të përfaqësueses së vendit dhe më pas goditi traversën.
Nga ana tjetër Katiç bëri një gabim të rëndë në mbrojtje, topi shkoi te Miovski, i cili përfitoi nga dalja e Zlomisliç-it, të cilin  e mposhti por Radeljić me një reagim spektakolar në momentin e fundit nuk lejoi që topi të përfundonte në rrjetën boshnjake.
 
“Duhet t’i përgëzoj lojtarët e mi për angazhimin. Siç thash, pati shumë vrapim, shumë luftë dhe ndihmë reciproke; ekipi funksionoi si një kolektiv i vërtetë. Të gjithë ishin si një. Arsyeja e vetme pse mund të mos jem plotësisht i kënaqur është se nuk i shfrytëzuam ato dy raste. Sigurisht që ndeshja do të kishte marrë një drejtim tjetër. Jam i kënaqur me lojtarët që debutuan, si edhe me të tjerët. Ata që nuk luajtën do të marrin mundësinë në ndeshjen e ardhshme. E dimë se këto janë ndeshje testuese dhe ne po përgatitemi për Ligën e Kombeve. Alioski u rikthye pas lëndimit dhe në 3-4 ndeshjet e fundit për klubin e tij ka luajtur nga stoli. Pa dyshim që do të na ndihmojë shumë.”, u shpreh Goce Sedloski, trajner i Maqedonisë.
 
Numri i madh i zëvendësimeve ndikoi në ritmin e lojës dhe në pjesën e dytë u luajt më me kujdes. Sedloski bëri plot 11 zëvendësime, ndërsa debutuan katër lojtarë: Georgije Jankulov, Din Alomerović, Azer Omeragić dhe Darko Angjeleski. Pas kësaj ndeshjeje, Bosnja dhe Hercegovina do të udhëtojë drejt SHBA-së, ku do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror. Ndërsa Maqedonia udhëton drejt Stambollit, ku do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore kundër një pjesëmarrëseje tjetër të Kampionatit Botëror – Turqisë. Ndeshja është caktuar të luhet  të hënën, duke filluar nga ora 18:30. (Gazetar: Safet Ademi)