Sport i pazakontë, Shah-Boksi, përplasja mes mendjes dhe forcës

30.05.2026 17:30

Një sport që bashkon inteligjencën dhe forcën fizike po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botë...

Dikur njihej si “shah-sheh”, ndërsa sot po fiton popullaritet si “shah-boks”. Një sport i pazakontë që bashkon strategjinë e shahut me forcën fizike të boksit. Garuesit zhvillojnë me radhë raunde shahu dhe boksi, ndërsa fitues shpallet ai që arrin mat ose nokaut. 
 
Ndeshja nis me shah dhe vazhdon me boks. Raundet e shahut zgjasin katër minuta, ndërsa ato të boksit tre minuta. Sporti kërkon përqendrim maksimal dhe qëndrueshmëri fizike, pasi edhe një goditje e vetme mund të ndikojë në mendimin strategjik. Shah-boksi u krijua në vitin 2003 në Berlin nga artisti holandez Iepe Rubingh, i frymëzuar nga komiksi “Froid Équateur” i autorit francez Enki Bilal. Nga një ide artistike, sporti sot është shndërruar në garë të mirëfilltë ndërkombëtare.
 
“Kur pata këtë ide të çmendur në komik, nuk e imagjinoja se do të bëhej realitet. Sot është kthyer në një sport të vërtetë dhe kjo është shumë emocionuese. “Ajo që i tërheq të rinjtë është kontrasti mes dy botëve. Nga njëra anë strategjia e shahut, nga ana tjetër adrenalina e boksit. Dhe kjo krijon një spektakël me shumë tension dhe dramë.”, u shpreh Enki Bilal, autor i komiksit.
 
Në Britani, sporti mori zhvillim të madh dhe Londra është kthyer në një nga qendrat kryesore të shah-boksit. Stërvitjet kombinojnë ushtrime intensive fizike me analiza strategjike në tabelën e shahut. Sipas organizatorëve, rreth 200 shah-boksierë ushtrohen rregullisht në Britani. Popullariteti i sportit është rritur sidomos pas interesimit të madh për shahun online dhe serialit “The Queen’s Gambit”.
 
“Ky sport kombinon 50 për qind forcë fizike dhe 50 për qind intelekt. Ne besojmë se shah-boksi ka të gjitha vlerat që një ditë të bëhet edhe sport olimpik.”, u shpreh Guillaume Salançon nga Federata Franceze e Shah-Boksit
 
Për shumë sportistë, shah-boksi është prova më e mirë se forca dhe mendja mund të funksionojnë së bashku. Një sport ku çdo lëvizje në tabelë dhe çdo goditje në ring mund të vendosë fituesin. Kujdes: Pasojat e traumave të trurit dhe mësim për të gjithë ne - Çdokush duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mos pësuar kurrë një dëmtim të trurit, sepse dëmtimi i barrierës gjak-tru mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore për pjesën tjetër të jetës. (Gazetar: Safet Ademi)