Botë

BE godet drejtuesit e Hamasit, 10 anëtarë të kupolës politike futen në 'listën e zezë'

30.05.2026 18:00

Bashkimi Evropian ka zgjeruar listën e sanksioneve ndaj Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez...

Bashkimi Evropian ka zgjeruar listën e sanksioneve ndaj Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, duke përfshirë edhe dhjetë anëtarë të Byrosë Politike të Hamasit.
 
Sipas vendimit të publikuar nga BE, personat e përfshirë në listë do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit në vendet anëtare të unionit, si dhe ngrirjes së aseteve që mund të kenë në territorin e bllokut.
 
Gjithashtu, ndalohet dhënia e fondeve apo burimeve ekonomike për ta, qoftë drejtpërdrejt apo përmes palëve të treta.
 
Në arsyetimin e saj, Bashkimi Evropian vlerëson se anëtarët e Byrosë Politike të Hamasit kanë rol në vendimmarrjen e organizatës dhe janë në dijeni të planifikimit, përgatitjes dhe kryerjes së veprimeve të dhunshme.
 
Sipas BE-së, ata mbështesin publikisht këto veprime dhe në raste të ndryshme kanë bërë deklarata që lidhen me sulme të ardhshme.
 
Bashkimi Evropian përsëriti angazhimin për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Rripin e Gazës, i cili prej muajsh është përfshirë nga luftimet mes Izraelit dhe Hamasit.
 
Sipas unionit, çarmatimi i Hamasit mbetet një nga kushtet kryesore për të ecur drejt një zgjidhjeje afatgjatë dhe stabiliteti në rajon.