Maqedoni

Filluan ethet e qershorit, maturantët i nënshtrohen provimit shtetëror

11.06.2015 14:31

Prej orës 10 të paradites, në të gjitha shkollat e mesme të vendit u mbajt provimi i parë i maturës shtetërore në lëndën e gjuhës amtare...

Prej orës 10 të paradites, në të gjitha shkollat e mesme të vendit u mbajt provimi i parë i maturës shtetërore në lëndën e gjuhës amtare, i cili është i pari nga tre provimet e maturës të nevojshëm për vazhdimin e arsimit të lartë.
 
Kohëzgjatja e maturës shtetërore ishte katër orë dhe në të nuk u evidentua asnjë parregullsi.
 
“Nxënësit testohen në pjesën obligative të maturës shtetërore, e cila nënkupton gjuhën amtare, respektivisht do të testohen nxënësit në gjuhën maqedonase dhe literaturë, do të testohen në gjuhën shqipe dhe literaturë dhe do të testohen edhe në gjuhën turke dhe literaturë. Në gjuhën maqedonase dhe literaturë janë paraqitur rreth 11.359 kandidatë, në gjuhën shqipe dhe literaturë janë paraqitur 50.565 kandidatë, si dhe në gjuhën turke janë paraqitur 397 kandidatë”- deklaroi drejtoresha e Qendrës Shtetërore për Testim, Mirushe Ameti.
 
Të gjithë maturantët e japin provimin e maturës shtetërore sipas konceptit të ri të ashtuquajtur “modeli 2+1”. Matematika nuk është lëndë obligative për provim. Në të shumtën e rasteve maturantët përzgjedhin gjuhët e huaja për provimin shtetëror.
 
“Si lëndë  të  dytë të provimit shtetëror e zgjodha gjuhën angleze, sepse këtu në mjekësi kemi matematikë vetëm dy vjet dhe nuk jam shumë i sigurt se nëse dikush vërtet dëshiron ta japë këtë provim të matematikës”- u shpreh një nxënës.  
                 
“Edhe unë e zgjodha anglishten për arsye se e kam më lehtë dhe është si gjuhë e domosdoshme për tërë botën”- theksoi një nxënëse.  
    
Më datën 15 qershor është testimi në gjuhën e huaj, ndërsa më 17 qershor realizohet testimi në matematikë dhe me datën 19 qershor është testimi në kimi, fizikë, biologji, histori, biznes, filozofi dhe estetikë ndërsa dhënia e testeve do të bëhet vetëm me shkrim.
 
Matura shtetërore realizohet për të tetin vit me radhë dhe ajo është kusht për vazhdim të studimeve brenda dhe jashtë vendit.
 
Rezultatet përfundimtare nga matura shtetërore do të publikohen 30 ditë pas provimit të fundit të maturës shtetërore.
 
Maturantët do të kenë mundësi të paraqesin ankesa në rast se nuk janë të kënaqur nga rezultatet përfundimtare. Këtë proces të maturës shtetërore e ndjekin mbi 2 mijë arsimtarë të stërvitur si testues dhe mbi 200 vëzhgues të tjerë.
 
REXHEP QAMILI