Maqedoni

Dështojnë bisedimet në Bruksel, Gruevski dhe Zaev me akuza të ndërsjella

11.06.2015 09:36

Bisedimet e djeshme në Bruksel midis katër liderëve të vendit me eurokomisionerin Han janë përmbyllur pa sukses...

Liderët nuk kanë arritur marrëveshje rreth çështjeve kyçe, formimin e qeverisë teknike dhe kush do të udhëhiqte me atë qeveri.
 
Kryeministri Gruevski dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas bisedave maratonike dolën me akuza të ndërsjella për mossuksesin e bisedimeve.
 
Gruevski ka akuzuar Zaevin se nuk dëshiron të arrihet marrëveshje pasi që u frikohet zgjedhjeve, ndërsa Zaev është prononcuar se zgjedhjet të cilat mund t’i organizojë Gruevski nuk mund të jenë fer.
 
“Ne negociuam më shumë se 12 orë dhe konstatimi im final është se zotëri Zaevi jo vetëm që nuk deshi të arrihet marrëveshje, por as që deshi t’i përafrohemi marrëveshjes. Arsyeja është se ai nuk erdhi që të merremi vesh, por që të mos merremi vesh. Njeriu i frikohet zgjedhjeve. Ai e din se në zgjedhjet e ardhshme do të përjetojë fijasko të rëndë, e din se LSDM-ja do të përjetojë dështimin më të madh në historinë e saj. Ai nuk dëshiron të arrihet marrëveshje, e as zgjedhje të ketë. Ky është i tërë problemi me të dhe gjithë atmosferën që e krijoi ditëve të fundit ishte në drejtim të mosarritjes së marrëveshjes”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Ndërsa për liderin e LSDM-së, Zaev, e rëndësishme ka qenë që ata nuk kanë hequr dorë nga qëndrimet e tyre, garantimi i zgjedhjeve fer dhe demokratike. 
 
“Kjo me Gruevskin është e pamundur. Ai është fajtori  kryesor i të gjitha krimeve. Nuk mundet që njeriu, i cili është kryesori në problem, të jetë edhe zgjidhje kryesore e problemit. Zgjedhjet me Gruevskin nuk mund të jenë fer”- është shprehur Zaev. 
 
Ende nuk dihet se si do të zhvillohen tentativat për zgjidhjen e krizës më tej.
 
Zaev ka lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e bisedimeve, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojë me publikimin e “bombave”.
 
MERAL ISMAILI