Shkëndija gjobitet rëndë nga FFM-ja, përjashtohet nga kupa për sezonin 2026/27

03.06.2026 18:11

Federata e Futbollit e Maqedonisë ka shqiptuar një nga dënimet më të rënda në historinë e futbollit vendor ndaj Shkëndijës së Tetovës. Klubi kuqezi përpos gjobës 105 mijë euroshe, ka marë përjashtim nga Kupa e Maqedonisë për sezonin 2026/27 dhe katër ndeshje si vendas pa praninë e publikut, pas incidenteve të regjistruara në finalen e Kupës kundër Sileksit...

Komisioni Disiplinor pranë FFM-s, ka shqiptuar një nga dënimet më të rënda dhe më komplekse që ndonjëherë i ka shqiptuar qeveria e futbollit vendor, e që mban mend historia e futbollit të Maqedonisë, duke e ndëshkuar Shkëndijën e Tetovës me gjithsej 105 mijë euro gjoba.

Përpos kësaj skuadra “kuqezi”,  ka marë edhe përjashtim nga Kupa e Maqedonisë për sezonin 2026/27 si dhe katër ndeshje si vendas duhet ti luajë pa praninë e publikut. Vendimet vijnë pas incidenteve të regjistruara në finalen e Kupës së Maqedonisë mes Shkëndijës dhe Sileksit.

Komisioni  në fjalë pranë FFM-së, mori vendim me të cilin Shkëndija dënohet me 15.000 euro për përdorimin e mjeteve piroteknike në finalen e Kupës së Maqedonisë. Përveç kësaj, klubi tetovar u gjobit me 10.000 euro për thirrje nacionaliste dhe slogane me përmbajtje fyese mbi baza kombëtare, si dhe me 20.000 euro për shfaqjen e një pankarte me përmbajtje naziste, për të cilën ishte dënuar më parë edhe nga UEFA. Klubi u ndëshkua gjithashtu me 30.000 euro dhe përjashtim nga garat e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27 për shkak të refuzimit për t’i pranuar medaljet gjatë ceremonisë zyrtare, si dhe për sjellje degraduese dhe mungesë respekti ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe ekipit kundërshtar.

Po ashtu, Shkëndijës i është shqiptuar një tjetër gjobë prej 30.000 eurosh dhe zhvillimin e  katër ndeshjeve të ardhshme si vendas, pa praninë e publikut për shkak të mosrespektimit të himnit shtetëror, fishkëllimave dhe sjelljes diskriminuese gjatë finales së Kupës.

Ndërkohë, FK Sileks është dënuar me 5.000 euro për përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë finales, ndërsa FK Vardar me 15.000 euro për thirrje fyese nga tifozët dhe festim të papërshtatshëm të titullit nga futbollistët. (Safet Ademi, TVM2)