Maqedoni

Filloi Forumi i ITT-së Maqedoni – Greqi, priten projekte të financuara nga Evropa

04.06.2026 13:23

Në fillim të punimeve u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi midis MASIT dhe SETPE...

Me pjesëmarrjen e mbi 130 përfaqësuesve të kompanive, institucioneve dhe organizatave nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, në Shkup filloi punimet Forumi, i organizuar nga MASIT në bashkëpunim me shoqatën greke SETPE, të cilat mblodhën së bashku përfaqësues të industrive, institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit, me qëllim krijimin e partneriteteve të reja, shkëmbimin e njohurive dhe hapjen e mundësive të reja për rritje rajonale. Në fillim të punimeve u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi midis MASIT dhe SETPE, që përfaqëson bazën për bashkëpunim më intensiv institucional, shkëmbim përvojash dhe aktivitete të përbashkëta në fushën e ekonomisë digjitale, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Në hapje foli ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili theksoi se Qeveria është e fokusuar maksimalisht jo vetëm në mbështetjen e proceseve të tilla, por edhe në stimulimin e tyre.
 
“Është kënaqësi të marrësh pjesë në një ngjarje të tillë. Dua të theksoj se Greqia është një nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë dhe në këtë kuptim, kur shohim aktivitetet midis ODAVE, si MASIT dhe organizatave tregtare nga Greqia, është me rëndësi të veçantë. Jam i kënaqur që ka më shumë se 100 pjesëmarrës. Sipas asaj që më tha presidenti i MASIT, janë planifikuar edhe mbi 100 takime biznesi me biznese, që do të thotë se do të diskutohet bashkëpunim specifik, i cili përqendrohet në çështje që lidhen me transferimin e njohurive, investimet e përbashkëta potenciale. Nga kjo pikëpamje, Qeveria është e fokusuar maksimalisht jo vetëm në mbështetjen e proceseve të tilla, por edhe në stimulimin e tyre.”, - deklaroi ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Presidenti i MASIT, Jordan Dimitrovski, theksoi se forumi u krijua me një qëllim të qartë - të lidhë kompanitë nga të dy vendet dhe të krijojë mundësi konkrete biznesi. 
 
“Për herë të parë në historinë tonë po organizojmë një forum të tillë ku marrin pjesë kompani nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Qëllimi i këtij forumi biznesor nuk është vetëm të flasim, por t’i ndajmë përvojat tona, dhe të mundësojmë një bashkëpunim konkret në mes kompanive të të dyja vendeve. Deri më tani shumë kompani nga vendi ynë kanë bashkëpunim me kompani nga Greqia, dhe ka projekte të hapura, sidomos në pjesën e financimit evropian, dhe në këtë drejtim presim që ta thellojmë bashkëpunimin.”, - theksoi kryetari i MASIT, Jordan Dimitrovski.
 
Gjatë forumit, pjesëmarrësit do të ndjekin prezantime dhe do të zhvillojnë diskutime tematike, që synojnë krijimin e partneriteteve konkrete biznesi dhe projekteve të reja të përbashkëta. 
 
FITIM KRYEZIU