Botë
Korea e Jugut, 14 raste të reja të prekura me “Mers”
11.06.2015 11:31
Ministria e Shëndetësisë së Koresë së Jugut sot kumtoi për 14 raste të reja të të prekurve nga virusi “Mers”, me çka numri i të infektuarve arriti në 122 persona...
Në mesin e tyre është edhe një grua shtatzënë, e cila është infektuar në qendrën emergjente në Seul, ndërsa lidhet me raste të tjera të të sëmurëve.
Prindërit e gruas shtatzënë, gjithashtu, paraprakisht kanë treguar rezultat pozitiv ndaj “Mersit”, theksohet në kumtesën e ministrisë. Gjendja e gruas është stabile. Përhapja e “Mersit” shkakton frikë në mesin e jugokoreanëve, ndërsa presidentja, Park Geun-he, e anuloi vizitën në ShBA.
Autoritetet shëndetësore kritikohen për mungesë transparence dhe për atë se nuk arrijnë ta kontrollojnë infeksionin.
Misioni i përbashkët i Koresë së Jugut dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë dje rekomanduan që shkollat në vend të hapen përsëri, pasi që është e vogël mundësia që atje të përhapet virusi, ndërsa këshillat shkollorë bëjnë thirrje që shkollat të mbeten të mbyllura.
Koreja e Jugut është vendi i dytë në botë sipas numrit të rasteve të konfirmuara të të prekurve nga “Mersi” pas Arabisë Saudite, ku që nga viti 2012 janë regjistruar mbi njëmijë persona.
“Mers” përfshiu gjithsej 23 shtete, në mesin e të cilave Jordaninë, Katarin, Eban, Tunizinë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë dhe Francën.
Zyrtarisht janë konfirmuar 1.271 raste të personave të infektuar, ndërsa kanë vdekur të paktën 448 persona. Kundër virusit tani për tani nuk ka vaksina apo ilaçe.
