Hapet Panairi i Librit Shqip në Shkup, mijëra libra në shqip në sheshin “Skënderbeu”

04.06.2026 15:43

Nën moton “Gjuha jonë, sa e mirë” në sheshin “Skënderbeu” në Shkup u hap Panairi i Librit Shqip...

Nën moton “Gjuha jonë, sa e mirë” në sheshin “Skënderbeu” në Shkup u hap Panairi i Librit Shqip. Për herë të parë, Shkupi u bë nikoqir i dhjetëra shtëpive botuese dhe mijëra titujve të librave në gjuhën shqipe nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe rajoni. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik për kulturën shqiptare dhe promovimin e gjuhës shqipe.
 
“Libri ka qenë gjithmonë udhëtimi më i sigurt i një kombi. Ai i ka mbijetuar kohëve të vështira, kufijve, ndalimeve dhe harresës. Aty ku mungonin urat, libri ndërtonte lidhje, ndërsa aty ku mungonte zëri, libri fliste. Prandaj ky panair, përveç që është ngjarje e madhe kulturore është dëshmi se gjuha shqipe vazhdon të jetojë, të krijojë dhe të pasurohet.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti. 
 
Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, Irena Toçi, njëherësh bashkorganizatore e panairit, tha se kjo ngjarje është ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore që instituti ka zhvilluar.
 
“Panairi i librit të Tiranës, panairi i librit të Prishtinës, panairi i librit këtu në Shkup dhe panairi i librit në Ulqin përbëjnë një mozaik panairesh që tregon fuqinë e gjuhës sonë, të librit tonë, të botuesve tonë.”, - theksoi drejtoresha ekzekutive e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi.
 
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të jetës kulturore dhe akademike. Ky panair nuk është festë vetëm e librit dhe lexuesve, po është festë edhe e gjuhës shqipe, thanë ata. 
 
“Panairet e librit kudo në botë konsiderohen si festat më të rëndësishme kulurore dhe unë uroj që ky fillim të vazhdojë deri sa do të jetë përjetë edhe gjuha shqipe.”, - u shpreh akademiku, Ali Aliu. 
 
“Këto tre ditë që do të vazhdojë ky panair, është një festë e librit, është një festë e autorëve dhe e lexuesve, e botuesve të librit, sepse autor-libër, autor dhe lexues është një trio e pandarë dhe ajo mund të funksionojë vetëm si e tillë. Ndërkohë që mendoj se përveç që është festë e librit, është edhe festë e gjuhës shqipe.”, - theksoi shkrimtari, Namik Dokle. 
 
Panairi do të jetë i hapur për vizitorët gjatë ditëve në vijim, duke ofruar mijëra tituj dhe aktivitete të ndryshme kulturore për adhuruesit e librit. Organizatorët paralajmëruan se synimi i tyre është që Panairi i Librit Shqip të bëhet tradicional.
 
ERSAN PAJAZITI