Integrimet, Mucunski: S’ka kushte për ndryshimet kushtetuese

04.06.2026 15:44

Mucunski thotë se është me të njëjtën retorikë me raportin të Komitetit për Punë të Jashtme të PE-së...

Pas vizitës së kreut të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, publikimit të raportit të Komitetit për Punë të Jashtme të PE-së dhe në prag të samitit, BE - Ballkani Perëndimor, ministri i jashtëm Mucunski është me të njëjtën retorikë, se për momentin, nuk ka kushte për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Thotë se vendi do të vazhdojë të jetë konstruktiv dhe produktiv në tejkalimin e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, por të njëjtën qasje e pret edhe nga Sofja zyrtare.
 
“Ne si shtet mbetemi të përkushtuar në reformat evropiane mbetemi me orientim të qartë strategjik në politikën e jashtme, por gjithashtu fuqishëm mbetemi në qëndrimin se në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese. Kushtet për ndryshime kushtetuese mund të krijohen në bazë të ndërtimit të besimit të ndërsjellë, siç e përsërisim shpesh, ndërsa besimi i ndërsjellë mund të ndërtohet së pari nëse ka garanci institucionale, gjë që besoj se nuk është problem në pothuajse të gjitha shtetet anëtare, përveç njërës.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
Raporti i Komitetit të PE-së, Mucunski: I balancuar, vazhdojmë me reformat
 
Mucunski komentoi edhe raportin e eurodeputetit Tomas Vaic në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku theksohet nevoja urgjente për një angazhim të ri politik dhe bashkëpunim ndërpartiak, veçanërisht për miratimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese. Dënojnë polarizimin politik dhe po ashtu eurodeputetët shprehin shqetësim për mungesën e progresit në pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, ata përgëzojnë Maqedoninë e Veriut për harmonizimin e lartë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian.
 
“Unë do ta shihja këtë raport si një raport të balancuar dhe ne si shtet nuk pajtohemi me gjithçka që ka brenda, por ne nuk e kemi të drejtën të jemi recensentë të përmbajtjes së atij raporti, por kemi të drejtë ta japim qëndrimin tonë dhe të vazhdojmë.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
LSDM: Kosta dhe PE-ja konfirmojnë qëndrimet tona
 
Nuk ndalen reagimet e opozitës maqedonase për ngecje në eurointegrime.
 
“Mesazhet e kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe raporti më i fundit i Vaicit miratuar nga Parlamenti Evropian, janë dy konfirmime të forta për atë që LSDM-ja e thotë prej muajsh. Kosta e tha qartë dhe pa asnjë dilemë se ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm për hapjen formale të negociatave për anëtarësim në BE. Mickoski po i mashtron qytetarët për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.”, thanë nga LSDM. 
 
VMRO: LSDM punon kundër interesave maqedonase
 
Ndërkohë VMRO akoma akuzon LSDM-në se po punon kundër interesave maqedonase.
 
“Është koha që Venko Filipçe ta kuptojë se Maqedonia nuk do të ecë përpara përmes poshtërimeve, shantazheve dhe lëshimeve kombëtare. Maqedonia do të ecë përpara vetëm me politika që mbrojnë interesat shtetërore dhe kombëtare, e jo me politika që u shërbejnë agjendave të huaja. Qytetarët meritojnë politikanë që do ta përfaqësojnë Maqedoninë, e jo politikanë si Filipçe, të cilët do të justifikojnë qëndrimet e shteteve të tjera.”, thanë nga VMRO-DPMNE.
 
Nga partia më e madhe në pushtet njëherësh kërkojnë nga Filipçe që të luftojë për një pozitë më të mirë negociuese të Maqedonisë, në vend të betejës për të shpëtuar karrierën e tij politike. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU