Protesta e studentëve, të premten protesta do të zhvendoset në Prishtinë
04.06.2026 15:44
Protesta e radhës kundër mbajtjes së provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase do të mbahet në Prishtinë...

Pas dy protestave të studentëve shqiptarë në Shkup dhe asaj në Tiranë kundër mbajtjes së provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, protesta e radhës do të mbahet në Prishtinë më 5 qershor. Protesta është thirrur nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, e cila do ta mbahet para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
“Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet në njoftim.
Sipas Parlamentit Studentor, gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Haradinaj ka shprehur mbështetje për protestën e studentëve
Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje për protestën në përkrahje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“E drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore. Jemi krah studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime.”, ka shkruar Haradinaj në rrjetet sociale.
Autoritetet në Maqedoni përfshi zëvendëskryeministrin e parë Bekim Sali dhe kryeministrin Mickoski, kanë premtuar zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërsa propozim zgjidhja e përgatitur nga grupi punues, siç ka bërë të ditur kryeministri, do t’i dorëzohet Qeverisë ditën e hënë.
GYLTENE SINANI
