Shkëndija reagoi pas dënimit nga FFM-ja, kërkon anulimin e vendimit

05.06.2026 12:50

Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, KF Shkëndija reagoi pasi mori një dënim të madh nga FFM-ja, për incidentet gjatë finales së Kupës kundër Sileks....

Në komunikatën drejtuar mediave, të publikuar në faqen zyrtare të skuadrës tetovare sponsori kryesor i Shkëndijës shkruan se klubi ka qenë gjithmonë shembull i seriozitetit, korrektësisë dhe respektimit të plotë të detyrimeve sportive dhe financiare, duke bërë sakrifica të mëdha ndër vite. Sipas tyre, vendimi i FFM-së është i papranueshëm dhe skandaloz, ndërsa paralajmëruan mundësinë e tërheqjes së plotë të klubit nga futbolli në Maqedoninë e Veriut nëse ai nuk korrigjohet.
 
“Shkëndija është një klub që me paraqitjet e saj dinjitoze në Evropë ka rritur koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore. Falë kësaj, nga viti i ardhshëm futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në garat evropiane. Kjo qasje na detyron të shqyrtojmë mundësinë e tërheqjes nga klubi, përkatësisht nga futbolli në Maqedonia e Veriut.”, thuhet në reagimin e Shkëndija
 
Në reagim thuhet gjithashtu se, nëse FFM-ja nuk e tërheq këtë vendim, sponsorët e Shkëndijës do ta shqyrtojnë seriozisht vazhdimin e mbështetjes së tyre, pasi sipas tyre ky vendim cenon të drejtat dhe politikat e klubit. 
 
“Presim që organet e FFM-së të reagojnë urgjentisht dhe ta rishqyrtojnë vendimin, në interes të drejtësisë sportive, klubit dhe të ardhmes së futbollit në përgjithësi.”, thuhet në reagimin e Shkëndija.
 
FFM-ja para disa ditësh i shqiptoi klubit tetovar Shkëndija një dënim në vlerë totale prej 105.000 eurosh për një sërë shkeljesh të kryera gjatë ndeshjes finale të Kupa e Maqedonisë kundër Sileksit. Përveç kësaj, klubi është dënuar edhe me përjashtim nga pjesëmarrja në Kupën e Maqedonisë për sezonin 2026/2027. (Gazetar: Safet Ademi)