Maqedonia me Sedlloskin, 10 debutues në katër ndeshje dhe pa asnjë gol të shënuar

05.06.2026 12:57

Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë ka zhvilluar katër ndeshje, një zyrtare dhe tri miqësore....

Fillimisht, Maqedonia luajti në Sarajevë kundër Bosnjë e Hercegovinës, në një ndeshje pa shumë raste dhe që përfundoi pa gola. Më pas udhëtoi drejt Stambollit, ku u përball me Turqinë. Fatkeqësisht, në këtë takim miqësor Maqedonia luajti dobët dhe humbi bindshëm me rezultat 4:0. Në këto dy ndeshje, selektori i ri Goce Sedlloski vendosi t’u japë mundësi shtatë debutuesve të veshin fanellën e përfaqësueses dhe luajtën për herë të parë në fanellën e përfaqësueses.
 
Në ndeshjen kundër Bosnjë e Hercegovinës debutuan Georgje Jankullov, Sabahudin Din Alomeroviq, Azer Omeragiq dhe Darko Angjeleski. Jankullov ishte titullar dhe luajti në pjesën e parë, ndërsa Alomeroviq dhe Omeragiq hynë në lojë në fillim të pjesës së dytë. Futbollisti i Sileksit, Angjeleski, u aktivizua në minutën e 58-të. Sedlloski u besoi debutuesve edhe në ndeshjen kundër Turqisë në Stamboll. Omeragiq ishte titullar dhe luajti deri në minutën e 66-të, kur u zëvendësua nga Din Alomeroviq, i cili luajti 24 minutat e mbetura.
 
Sefer Emini debutoi pasi hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa nga minuta e 65-të për herë të parë me fanellën e përfaqësueses luajtën portieri Davor Taleski nga Vardari dhe Darko Dodev nga Sileksi. Me ta, numri i debutuesve në këto dy ndeshje arriti në shtatë. Nga këta shtatë debutues, më i riu është Omeragiq, i cili muajin e ardhshëm mbush 24 vjeç.
 
Debutuesi më i moshuar në këtë periudhë ishte portieri Taleski, i cili debutoi për Maqedoninë në moshën 31-vjeçare. Sedlloski po ashtu u dha besim debutuesve edhe në ndeshjen ndaj Danimarkës, e vlefshme për play-off-in drejt Kupës së Botës, si dhe në ndeshjen miqësore kundër Republikës së Irlandës.
 
Në përballjen me Danimarkën ai i besoi plotësisht Sebastian Herrera-s (31 vjeç), kolumbianit me pasaportë maqedonase që luan për Borac Banja Lukën dhe që nuk u ftua për dy ndeshjet e tjera. Më pas aktivizoi edhe sulmuesin anësor nga SHBA-ja, Deni Musovski (30 vjeç). Ndërsa në Dublin debutoi Imran Fetai (23 vjeç), mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës.
 
Debutuesit më të moshuar në këto katër ndeshje nën drejtimin e Sedlloskit janë Taleski dhe Herrera, të cilët debutuan në moshën 31-vjeçare, ndërsa debutuesi më i ri është Imran Fetai me 23 vjet. Për fat të keq, edhe pas 360 minutash nën drejtimin e Sedlloskit, ose gjithsej 427 minutash, Maqedonia ende nuk ka arritur të shënojë gol.
 
Plot 11 vjet nuk kishte ndodhur që përfaqësuesja të mbetej pa gol në katër ndeshje radhazi. Trajneri i fundit i Maqedonisë, që pati një seri të tillë ishte Ljubinko Druloviq. Tani përfaqësuesja do të pushojë deri në shtator, kur do të nisë edicioni i ri i Ligës së Kombeve. Kundërshtari i parë do të jetë Zvicra në Shkup. Nëse Maqedonia nuk arrin të shënojë as në atë takim, do të jetë hera e parë në historinë e saj që lidh pesë ndeshje radhazi pa gol. (Gazetar: Safet Ademi)