Tiranë, vazhdojnë protestat për Zvërnecin

05.06.2026 15:53

Ajo që nisi si një revoltë për një akt dhunë të ndodhur ndaj një protestuesi në Zvërnec...

Ajo që nisi si një revoltë për një akt dhunë të ndodhur ndaj një protestuesi në Zvërnec, tashmë është kthyer në një revoltë të përditshme mbarëpopullore, më e madhja gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Edhe mbrëmë në ditën e pestë të protestës, qindra qytetarë protestuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë kundër projektit të resortit në Zvërnec.
 
Përtej thirrjeve për të ndaluar projektin në një nga zonat e mbrojtura, ata kaluan në 5 kërkesa konkrete.
 
  • 1-  Dorëheqjen e Qeverisë
  • 2- Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për statusin strategjik
  • 3- Shfuqizimin e paketës se maleve
  • 4- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura
  • 5- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare
 
Përmes pankartave që mbanin në duar, qytetarët përcillnin mesazhe të shumta me në qendër ‘mbrojtjen e natyrës’.
 
Kryeministri Edi Rama mësohet se menjëherë pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Mal të Zi, do të udhëtojë drejt Vlorës, ku do të takohet me banorët e zonës së Zvërnecit në lidhje me projektin e resortit turistik, që ka nxitur protesta në Tiranë dhe disa rrethe.
 
Një ditë më parë, nga Parlamenti, Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po organizonte një anti-miting në Vlorë, me qëllimin për të zbehur protestën qytetare.
Të tjera protesta janë shtrirë në disa prej qyteteve kryesore, si Vlora, Fieri e Durrësi, ndërkohë që protesta janë paralajmëruar edhe për këtë të premte.
 
LULJETA NDOKA