Në Panairin e Librit Shqip u promovuan disa libra
05.06.2026 15:54
Në ditën e dytë të Panairit të Librit Shqip u promovuan disa libra...

Në ditën e dytë të Panairit të Librit Shqip, që u hap në Çarshinë e vjetër të Shkupit, u promovuan disa libra. Me këtë rast autorët apeluan që të rinjtë të afrohen më shumë me librin, përkatësisht të lexojnë më tepër.
“Mendoj se një prej ideve më të mira që ka mundur t’i ketë një komunë si Çairi është pikërisht organizimi i panairit të tillë. Shkrimtari, botuesi dhe lexuesi të mblidhen me një vend, me një podium, siç është panairi dhe kjo është ajo ideja madhore e këtij panairi, ku do të jetë edhe një promovim, libri im.”, - theksoi publicisti, Emin Azemi.
“Unë dua t’i motivoj të rinjtë që mos të ndalen, pa marrë parasysh fjalëve të të tjerëve, pengesave që dalin përpara, të vazhdojnë të jenë vetvetja dhe të bëjnë gjërat që ato duan. Leximi është mbi të gjitha, duhet të lexojnë sa më shumë libra prej zhanreve të ndryshme, sepse ju ndihmon që ta forcojnë gjendjen emocionale dhe psikike më lehtë.”, - u shpreh nxënësja, Blerona Ismaili.
“Jam shkrimtar i Çamërisë, jam autor i mbi 30 librave. Me zemër, me emocion, ju përshëndes të gjithë shqiptarëve këtu në Iliridë, sa i takoj këtu në Shkup, sepse ndjej një ndjeshmëri, një atdhedashuri ndaj Çamërisë, jo vetëm nga mosha ime, mosha mesatare, por edhe nga rinia kjo tregon që të rinjtë shqiptarë mbeten atdhetarë.”, - theksoi shkrimtari nga Çamëria, Arben Kondi.
Nga Komuna e Çairit theksojnë se adhuruesit e librit do të mund ta gjejnë veten në Panairin e Librit në Çarshinë e Shkupit, ku mund të gjejnë botime të shumta nga autorë shqiptarë dhe të huaj.
“Lexuesit kanë mundësinë që këtu të gjejnë libra nga më të ndryshmet, 55 botues, mijëra tituj të fushave të ndryshme, duke filluar nga më të vegjlit, lektyrat shkollore, librat profesionalë shkencorë.”, - u shpreh kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamet Murtezi.
Organizatorët theksuan se synimi i tyre është që Panairi i Librit Shqip të bëhet tradicional.
VLORA LATIFI TOPOJANI
