Tivat, Samiti BE - Ballkani Perëndimor, Mickoski: BE me porosinë se procesi i zgjerimit mbetet i gjallë
05.06.2026 15:55
Samiti Bashkimi Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tivat me sinjale se zgjerimi është ende gjallë edhe për Maqedoninë e Veriut...

Samiti Bashkimi Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tivat me sinjale se zgjerimi është ende gjallë edhe për Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski i kënaqur nga takimet e zhvilluara me presidentin francez Emanuel Makron, si dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc. Edhe pse nuk jep detaje nëse është ushtruar trysni për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, Mickoski thotë se detyra e Shkupit zyrtar është realizimi i reformave dhe ruajtja e dinjitetit kombëtar maqedonas.
“Këto janë momente kur praktikisht BE, gjegjësisht Këshilli Evropian e thotë qartë se procesi i zgjerimit mbetet i gjallë. Detyra jonë si qeveri është që këtë proces ta ruajmë, ta avancojmë, por njëkohësisht mos të humbim dinjitetin, sikurse ishte shembull në dekadat e shkuara kur bëhet fjalë për aspiratat tona për anëtarësim në BE.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri bullgar Rumen Radev rikujton përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, krahas reformave. Ai thotë se Bullgaria është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë në rrugëtimin e saj.
“Ftojmë ata që të ndryshojnë Kushtetutën dhe të shkruajnë bullgarët në Kushtetutën e tyre. Është shumë e thjeshtë. Ata duhet të bëjnë vetëm këtë hap që të hapin derën e procesit negociues.”, - theksoi kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, theksoi rëndësinë e përshpejtimit të zgjerimit të Familjes Evropiane, duke e bërë procesin më të dukshëm.
“Procesin e zgjerimit duhet ta bëjmë më të shpejtë dhe të besueshëm. Me fjalë të tjera, nëse shteti kandidat zbaton reformat, do të duhet të ecë përpara me mbylljen e kapitujve drejt rrugës së BE-së.”, - u shpreh kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
BE-ja vlerëson përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke thënë se janë shumë afër përfundimit. Në samit po diskutohet edhe plani i rritjes së vendeve kandidate me investime që do të vijnë pas reformave. BE-ja veç më ka investuar 675 milionë euro dhe financimi i radhës është rrugës dhe peshon 540 milionë euro.
MERAL ISMAILI
