Provimi i jurisprudencës, Sali: Do të mundësohet edhe në gjuhën shqipe
Përfaqësuesit e Koalicionit VLEN...

Përfaqësuesit e Koalicionit VLEN zotohen se do ta zgjidhin çështjen e provimit të jurisprudencës që Qeverisjet e kaluara e lanë të hapur.
Sipas Zv/Kryeministrit të parë Bekim Sali, ajo që nuk u realizua për 25 vite, po realizohet me VLEN në Qeveri, dhe më në fundë Provimi i Jurisprudencës do të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, dhe se zëri i studentëve çdoher do të dëgjohet.
“Ligji aktual për Provimin e Jurisprudencës është miratuar në vitin 2019. Ata që sot përpiqen të bëjnë humor të zi dhe të dezinformojnë opinionin publik, në atë kohë kishin mundësinë ta parashihnin dhënien e provimit edhe në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, ashtu siç nuk e bënë për më shumë se dy dekada, edhe pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, nuk e realizuan këtë të drejtë. Sidoqoftë, atë që nuk e bënë për 25 vjet, sot po e realizojmë ne. Me VLEN në Qeveri, Provimi i Jurisprudencës do të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Ne mbajmë premtimet e dhëna. Ndërsa të tjerët përhapin të pavërteta, ne vazhdojmë të punojmë në interes të qytetarëve dhe studentëve. Krahas kësaj, po punohet intensivisht edhe për provime të tjera profesionale dhe shtetërore, me qëllim që edhe ato të mundësohen në gjuhën shqipe. Provimi i Jurispodences do jepet edhe ne gjuhën shqipe”, - thonë nga kabineti i zv/Kryeministrit të parë, Bekim Sali.
Iseni: Shqipja të përdoret edhe në pjesën praktike
Por kishte edhe zëra të tilla se Provimi I Jurisprodencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike si gjyqtar, prokuror, avokat, noter, dhe se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban dispozita për dhënien e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.
Ndërkohë studentët shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut, propozimin e fundit e konsiderojnë si një hap para, por përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që përveç pjesës teorike edhe pjesa praktike e provimit të jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.
“Sa i përket propozimit të fundit, ne e konsiderojmë atë si një hap përpara, pasi parashihet që pjesa teorike e provimit të zhvillohet në gjuhën shqipe. Megjithatë, kjo zgjidhje mbetet e paplotë dhe nuk e adreson thelbin e problemit. Pjesa praktike e provimit, e cila është edhe komponenti më i rëndësishëm, vazhdon të mbetet jashtë përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë. Nuk mund të flasim për zbatim të plotë të të drejtave gjuhësore nëse gjuha shqipe pranohet në teori, por anashkalohet në praktikë. Nëse gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, atëherë ajo duhet të përdoret në të gjitha fazat e procesit, përfshirë edhe pjesën praktike. Dallimi që po tentohet të krijohet mes teorisë dhe praktikës është artificial dhe i pajustifikueshëm. Nuk mund të pranojmë që një e drejtë kushtetuese të zbatohet vetëm pjesërisht” – tha Çlirim Iseni, nga Lëvizja studentore.
Ndryshe provimi i jurisprudencës jepet në pesë sesione të provimit. Kandidati që ka filluar dhënien e njërit prej provimeve, duhet ta kalojë pjesën teorike në tre sesione të provimit të njëpasnjëshme. Provimi përbëhet nga pjesa me shkrim dhe pjesa me gojë. Pjesa me shkrim mbahet në lëndët: E drejta penale, dhe E drejta civile, ndërsa pjesa me gojë në lëndet si: E drejta penale, E drejta civile, E drejta tregtare, E drejta e punës, Rregullimi kushtetues i RMV dhe Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Organizimi i sistemit gjyqësor dhe i së drejtës administrative dhe Konflikti i ligjeve dhe ndihma juridike ndërkombëtare. (Fitim Kryeziu, TVM2)
