Botë
Rikthehen sulmet Izrael – Iran, cenohet arritja e Marrëveshjes së Paqes
08.06.2026 14:41
Përplasjet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish pas sulmeve hakmarrëse izraelite ndaj objektivave ushtarake në Iranin perëndimor dhe qendror...

Përplasjet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish pas sulmeve hakmarrëse izraelite ndaj objektivave ushtarake në Iranin perëndimor dhe qendror, si përgjigje ndaj një rakete të lëshuar nga Teherani drejt veriut të Izraelit. Zhvillimet shënojnë incidentin më serioz që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në fillim të prillit.
“Regjimi terrorist iranian bëri një gabim të madh duke zgjedhur sërish terrorizmin. Regjimi po përpiqet të krijojë një ekuacion të ri duke kryer një sulm të drejtpërdrejtë ndaj nesh. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të
vazhdojnë të veprojnë në të gjithë Libanin dhe do të thellojnë dëmin ndaj organizatës terroriste Hezbollah. Ne nuk do të lejojmë zjarr të vazhdueshëm ndaj qytetarëve të Shtetit të Izraelit.”, - deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Efi Defrin.
Izraeli paralajmëron se do të vazhdojë operacionet edhe kundër Hezbollahut, ndërsa Irani kërcënon me zgjerim të sulmeve, nëse vazhdojnë shkeljet e armëpushimit. Por, autoritetet iraniane fajësuan ShBA-në për eskalimin, duke theksuar se kjo cenon bisedimet për paqe.
“ShBA-ja ka përgjegjësi të qartë si palë në bisedimet për ndërprerjen e zjarrit më 8 prill. Çfarë do që të ndodhë në rajon, pa marrë parasysh nëse ShBA-ja e shkel vet marrëveshjen apo shkeljet i bën regjimi sionist në Liban, përgjegjësia direkte e ShBA-së nuk ka dilemë, ndërsa pasojat e eskalimit do të jenë edhe për Uashingtonin.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagnei.
Paraprakisht kreu i Shtëpisë së Bardhë, Tramp, i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, të mos ndërmerrte veprime hakmarrëse. Ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se armëpushimi me Iranin mbetet në fuqi, edhe pse herë pas here ndodhin incidente.
“Presidenti e bëri shumë të qartë se mund të ketë incidente të izoluara, por aktualisht ai është i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje të madhe që do të sigurojë se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore. Ne në Departamentin e Mbrojtjes jemi të gatshëm, nëse kjo nuk ndodh, të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’u siguruar që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore.”, - u shpreh sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegset.
Edhe shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas, ka ftuar palët që të shmangin tensionet dhe të ulen në tryezën e bisedimeve.
“Gjatë natës përsëri pamë eskalim. Mendoj se rajonit nuk i duhet eskalim, por palët të ulen në tryezën e bisedimeve.”, - theksoi përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Edhe Huthët nga Jemeni kanë sulmuar Izraelin dhe janë kërcënuar se anijet izraelite do të sulmohen gjatë lundrimit në Detin e Kuq.
FLORIJE KAMBERI
