Mickoski: LSDM-ja, “hallka më e dobët” e identitetit kombëtar

08.06.2026 15:41

Filipçe dhe partia e tij vazhdojnë të jenë hallka më e dobët në identitetin kombëtar maqedonas...

Filipçe dhe partia e tij vazhdojnë të jenë hallka më e dobët në identitetin kombëtar maqedonas. Kështu u është përgjigjur kryeministri Hristijan Mickoski qëndrimeve të LSDM-së për integrimin evropian të paraqitura në kongresin partiak. Kryeministri vuri në dukje se LSDM-ja në kongresin e saj nuk tregoi asgjë ndryshe nga ajo që kishte treguar më parë.
 
“Për fat të keq, LSDM-ja vazhdon të jetë hallka më e dobët në identitetin kombëtar maqedonas. Më vjen keq që nga një parti dikur shtetformuese është shndërruar në një grup që lufton për të mbrojtur interesin e vet personal. Por, kjo është situata. Tani ata kanë zgjedhur një politikë të tillë dhe sillen në atë mënyrë. Ne këtu nuk mund të bëjmë asgjë më tepër. Prandaj, ndonjëherë ndoshta as nuk duhet të komentojmë gjithçka që ata thonë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
LSDM: RMV-ja nuk duhet të bllokohet në nacionalizëm
 
Filipçe në kongresin e mbrëmshëm kërkoi veprim të menjëhershëm për të mos humbur rrugën drejt BE-së. Ndërkohë LSDM-ja prezantoi “Iniciativën e Shkupit” dhe platformën “Shteti yt, shansi yt” me të cilën nis një etapë të re të veprimit politik, që sipas tyre është e bazuar në vlera, për standard më të mirë jetese, në luftën kundër korrupsionit dhe për një të ardhme evropiane për Maqedoninë.
 
“Evropa nuk është një qëllim politik abstrakt, por një jetë më e mirë në vend, paga më të larta, sundim i ligjit dhe më shumë shanse për çdo njeri. Maqedonia nuk duhet të mbetet e bllokuar në nacionalizëm, populizëm dhe manipulime politike, që e largojnë nga e ardhmja evropiane.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
LSDM-ja bën thirrje për bashkim rreth interesave shtetërore, zhvillimit ekonomik dhe vlerave evropiane përmes një Fronti të gjerë për të vërtetën dhe drejtësinë, të hapur për qytetarët, organizatat, intelektualët, profesionistët, sindikatat dhe aktorët e tjerë shoqërorë.
 
ARMEND MURSELI