LVV sërish fituese e zgjedhjeve në Kosovë, partitë nisin kalkulimet e bashkëpunimit

08.06.2026 15:40

Zgjedhjet e 7 qershorit e nxorën sërish fituese Lëvizjen Vetëvendosje...

Zgjedhjet e 7 qershorit e nxorën sërish fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka fituar 42.91 për qind të votave apo 48 deputetë. Partia e dytë doli sërish Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi 21.12 për qind të votave apo 24 deputetë.  Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind të votave do të ketë 20 deputetë dhe Aleanca me 7.16 për qind të votave do të ketë 8 deputetë. Në Kuvendin e Kosovës ka edhe 20 vende të rezervuara për pakicat edhe atë 10 për pakicën serbe dhe 10 ulëse për pakicat joserbe.

Pas publikimit të rezultateve të para kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me partitë tjera për konstituimin e institucioneve.

“Javët në vijim do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës, sepse ne e kemi para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik vullnetin e përgjithshëm dhe republikën sovrane e të pavarur të Kosovës.”, - deklaroi kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiuku, tha se do të punojnë për krijimin e institucioneve, por bashkëpunimin e kushtëzoi me emrin e Vjosa Osmanit për presidente, në të kundërtën nuk e përjashtoi mundësinë që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje.

“Nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromise për gjërat për të cilat kemi kërkuar mbështetje qytetare. E dyta që sapo i shohim numrat të gjithë bashkërisht duhet kompromis për të pasur institucione, përndryshe përfundojmë në zgjedhje të reja edhe njëherë.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Nga PDK ka vlerësuar se pushteti i deritashëm i ka lodhur qytetarët me kriza të njëpasnjëshme dhe mospjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është mesazh politik, që duhet të merret seriozisht, sidomos nga pushteti. Zgjedhjet në Kosovë u ndoqën me vëmendje edhe në Bruksel. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë që të angazhohen për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor. 

“Zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin derën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti bllokimi politik. Udhëheqësit politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të Qeverisë.”, -  ka porositur Kallas. 

Kallas dhe Kos: Nevojitet formim i shpejtë i institucioneve

Edhe komisionarja e për Zgjerim, Marta Kos, duke uruar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren, ka bërë thirrje për unitet politik dhe kompromis në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti institucional është kyç për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. 

“Pres me padurim të kthehem në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur për të intensifikuar punën për integrimin evropian të Kosovës dhe për të vazhduar angazhimin lidhur me financimin në kuadër të Planit të Rritjes.”, ka porositur Kos. 

Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, i publikuar aktualisht nga KQZ nuk është përfundimtar, pasi pritet të numërohen edhe mbi 100 mijë vota të mërgatës dhe votat me kusht. 

GYLTENE SINANI