Gashi: Deputetët ta votojnë Ligjin për përfaqësim

08.06.2026 15:45

Gashi u bëri thirrje deputetëve që të tregojnë konstruktivitet dhe të punojnë së bashku për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat...

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u bëri thirrje deputetëve që të tregojnë konstruktivitet dhe të punojnë së bashku për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, i cili më 10 qershor do të gjendet në Kuvend në lexim të parë. Sipas tij, bllokadat nuk janë  mënyra që shpijnë në ligje cilësore dhe se ky qëllim mund të arrihet përmes debatit dhe shqyrtimit të amendamenteve të propozuara. Gashi konsiderohet se duhet akoma punë për t’u rritur kultura politike për të mirën e qytetarëve. Deputetët, përfshirë edhe ata të opozitës, mund t’i përdorin të gjitha mjetet legjitime që kanë në dispozicion, tha kreu i shtëpisë legjislative.
 
“Procedura ka filluar ashtu siç është e paraparë me rregullore. Ka pasur seancë komiteti i cili është thirrur pa pasur kontest. E dini se Ligji për përfaqësim të drejtë nuk ka qenë i paraparë që të votohet me Badinter. Ka qenë vullnet i shumicës parlamentare që ta ngrejë këtë iniciativë e para, ta diskutojë, të vendosë që të votohet me Badinter, pastaj ka pasur edhe komisione për sistem politik. Nuk e kuptoj pse opozita nuk e voton një ligj i cili nuk është trajtuar si çështje me ligj deri tani? Asnjë ligj nuk është i përkryer. Mendoj se kjo formë, siç është menduar i tërë sistemi është më e mira e mundshme, por koha është testi më i mirë për çdo ligj. Në momentin që e shohim se duhet të përmirësohet, ne mund të ulemi sërish dhe të diskutojmë dhe të përmirësohet ligji në të ardhmen, por mes asaj që të mos kemi fare ligj dhe të kemi një ligj në këtë formë të përpiluar dhe të futur në procedurë, mendoj se është mënyra më e mirë për ta sjellë një ligj.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. 
 
Mungon një gjykatës kushtetues, Gashi: E propozon Këshilli Gjyqësor
 
Gashi me përgjigje edhe për kohën kur do të mund të jetë në rend dite pika për zgjedhjen e gjykatësit të nëntë kushtetues, që për pasojë lënda për ligjin për gjuhët është bllokuar në Gjykatën Kushtetuese.
 
“Në këtë rast kur zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duhet për shkak se e propozon Këshilli Gjyqësor, se ka raste kur e propozon kryetari i shtetit apo Parlamenti, propozuesi duhet të jetë në sallë që ta mbrojë propozimin. Në momentin kur do të kemi përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor ne do ta miratojmë pikën e rendit të ditës. Nuk mund të hapim diskutimin pa qenë përfaqësues prezent në sallë.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Në këtë seancë Gashi prezantoi punën e tij dyvjeçare prej kryetarit të Kuvendit. Tha se ky post për të ka qenë akt i përgjegjshëm që ka kërkuar llogaridhënie për çdo vendim, për të cilën shton se nuk  i ka munguar përkushtimi dhe afërsia me qytetarët. Sipas tij, në këto dy vite, theksi është vënë në përforcimin e rolit demokratik të Kuvendit brenda shtetit dhe në sferën diplomatike ndërkombëtare. Puna dyvjeçare e Kuvendit pasqyrohet me transparencë, digjitalizim dhe komunikim  të hapur, përfundoi Gashi.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU