Maqedoni

Tregu turistik në Maqedoni i stabilizuar, rritet numri i rezervimeve

11.06.2015 13:30

Tregu turistik në Maqedoni është duke u stabilizuar...

Nuk ka anulime të reja të aranzhmaneve, përkundrazi është duke u rritur numri i rezervimeve, tha sot drejtori i Agjencisë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit, Kristian Xhambazovski.
 
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas konferencës për shtyp për qëndrimin e motoçiklistëve italianë në vend, Xhambazovski theksoi se rezultatet e kuartalit të parë të këtij viti janë pozitive.
 
Numri i turistëve të huaj në periudhën janar - mars 2015 në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar është rritur për 14 për qind, ndërsa është evidentuar rritje e numrit të bujtjeve në 9,6 për qind.
 
"Derisa ka turbulenca në sferën politike, turizmi i pari i ka ndjerë efektet negative, ndërsa ato edhe më tej reflektohen mbi gjithë ekonominë", theksoi Xhambazovski, duke shprehur bindje se nuk do të ketë turbulenca të reja në turizëm.
 
Agjencia në vazhdimësi punon në realizimin e aktiviteteve të sivjetme programore.
 
"Nga fillimi i këtij viti i kemi prezentuar potencialet turistike të 15 panaireve internacionale për turizëm ku kanë marrë pjesë mbi 25 agjenci turistike dhe turoperatorë nga Maqedonia, që është dëshmi se cilësia, gjegjësisht konkurrenca e ofertës është rritur. Vazhdojmë me fushatë mediale agresive si dhe me organizimin e vizitave studimore dhe udhëtimeve informative në vend me ç'rast mundësi për t'u njoftuar me potencialet e vendit kanë tur-operatorët nga Amerika, Rusia, Suedia, Franca",... tha drejtori.
 
Janë realizuar, shtoi, biznes takime me ekonominë turistike të Maqedonisë, ndërsa në më shumë revista franceze, australiane, italiane janë publikuar reportazhe për Maqedoninë si destinacion turistik.
 
"Në pajtim me konstatimet e seancës së jashtëzakonshme të Këshillit për Turizëm në kuadër të Agjencisë, janë ndërmarrë masa shtesë me praninë e përforcuar në tregjet rjonale përmes organizimit të ditëve të turizmit të Maqedonisë në fqinjësi dhe organizimin e udhëtimeve informative shtesë për turoperatorë dhe gazetarë të huaj", njoftoi Xhambazovski.
 
Numri më i madh i turistëve gjatë muajve të parë të këtij viti janë nga Greqia, Serbia, Bullgaria dhe Turqia.