Propozim-ligji antiduhan, kufizime të reja për konsum dhe promovim
Komisioni parlamentar për shëndetësi e miratoi propozim-ligjin...

Komisioni parlamentar për shëndetësi e miratoi propozim-ligjin për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme në lexim të parë, i cili është dorëzuar me “flamur evropian”. Propozim-ligji tani do të vijojë procedurën e mëtejshme kuvendore.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, tha se ky ligj është më se i nevojshëm, pasi përmes tij, synohet të sigurohet mbrojtje më e madhe e shëndetit të qytetarëve.
“Nevoja për një zgjidhje të re ligjore buron nga nevoja për të siguruar mbrojtje më gjithëpërfshirëse dhe më efikase të shëndetit të qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe nga detyrimi për harmonizim me legjislacionin evropian dhe me Konventën Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kontrollin e duhanit.”, - deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.
Propozuesi i këtij ligji gjithashtu sqaroi se duhanpirja është një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe sëmundjeve kronike në vend.
Sipas OBSh-së, mbi 45% e popullsisë së rritur është duhanpirëse, duke e renditur vendin ndër shtetet me shkallën më të lartë të duhanpirjes në Evropë.
Kjo shkallë e lartë e konsumimit të duhanit lidhet me rreth një të tretën e rasteve të kancerit të mushkërive, si dhe me sëmundjet kardiovaskulare, theksoi Andovski.
Me ndryshimet e propozuara parashihet ndalimi i pirjes së duhanit në hapësirat publike të mbyllura, si dhe kufizimi i reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit. (Rexhep Qamili, TVM2)
