Botë
Erdogan: partitë të lënë anash egot, të formojnë qeverinë
11.06.2015 18:14
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, u ka bërë thirrje partive politike në Turqi “që egot t’i lënë anash” dhe ta formojnë qeverinë “sa më shpejt” që të jetë e mundshme...

Më tutje, gjatë një fjalimi të sotëm televiziv, Erdogan ka tërhequr vërejtjen se historia do ta gjykojë secilin, i cili do ta fuste Turqinë në pasiguri politike dhe se të gjitha palët duhet ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve “si vullnet të popullit”.
Në zgjedhjet e mbajtura më 7 qershor, Partia për Zhvillim dhe Drejtësi, AKP, që dikur drejtohej nga Erdogani, e ka humbur shumicën parlamentare. Asnjë parti nuk ka paraqitur sinjale se është e gatshme t’i bashkohet koalicionit qeveritar me AKP-në.
Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, njëherësh lider i partisë AKP, tha sot se nuk mund të përjashtohet edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, nëse dështojnë bisedimet për formimin e koalicionit qeverisës.
