Maqedoni

Drejtorët e FSSH-së, Ramadani dhe Stefanovski, paralajmërojnë vizita në njësitë rajonale

11.06.2015 15:41

Drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani dhe Sasho Stefanovski...

Drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani dhe Sasho Stefanovski, paralajmërojnë se do të bëjnë çdo javë nga një vizitë nëpër njësitë rajonale të fondit në të gjithë Maqedoninë.
 
Ideja e këtij projekti është që pjesën më të madhe të orarit të punës ta kalojnë duke dhënë kontributin e tyre së bashku me të punësuarit dhe në këtë mënyrë do të sigurohen informata të dorës së parë nëse të siguruarit janë të kënaqur nga shërbimet që u ofrohen, sa janë korrekte udhëzimet që u jepen për mënyrën se si ta realizojnë të drejtën e tyre, si dhe do të matet efikasiteti dhe përkushtueshmëria e të punësuarve nëpër njësitë rajonale të fondit.
 
“Sot kemi vendos, gjegjësisht jemi në njësinë rajonale të Shkupit, e cila është njëra nga njësitë më të mëdha këtu në Maqedoni. Njëkohësisht mund të shohim punëtorët tanë se si sillen me siguruesit tanë, në qoftë se kanë probleme mund t’i zgjidhim në vend. Njëkohësisht për vizitorët e këtij reparti, faktikisht për të punësuarit, kjo do të jetë praktikë e cila do të vazhdojë në të ardhmen. Çdo javë brenda muajit një ditë do të jem në njësitë rajonale”- deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani.
 
“Ideja e kësaj qasje në punën tonë është që të përmirësojmë  efikasitetit tek punonjësit tanë dhe për t’iu ndihmuar punonjësve tanë për zgjidhjen e problemeve të siguruesve tanë  me procedurë të shpejtë. Vizioni i këtij projekti është që të siguruarit të jenë të kënaqur me shërbimet e fondit, e kjo të arrihet përmes punës efikase, transparente, ekipore dhe organizative”- tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Stefanovski.
 
Qëllimi i fondit është që secili i siguruar në cilindo qoftë qytet të Maqedonisë të drejtën e sigurimit shëndetësor ta realizojë në mënyrë të barabartë, në periudhë kohore të njëjtë dhe me efikasitet të njëjtë.
 
REJHANE BUSHI-METAJ