Filarmonia e Maqedonisë, më 20 qershor koncert në ambient të hapur

12.06.2026 14:45

Filarmonia e Maqedonisë më 20 qershor...

Filarmonia e Maqedonisë më 20 qershor do të mbajë koncertin tradicional nën qiell të hapur në Parkun e Qytetit. Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë falas interpretimin e kantatës skeniko-muzikore “Carmina Burana” të Karl Orfit, e cila do të interpretohet nga orkestrat e bashkuara të Shkupit, Sofjes dhe Selanikut.

Ky projekt përfaqëson një shembull të rëndësishëm të bashkëpunimit kulturor rajonal dhe të fuqisë së artit për të bashkuar popujt përtej kufijve.

“Më 20 qershor në parkun e qytetit në ora 21:00 do të fillojë koncerti spektakolar. Ky koncert përbëhet  nga filarmonia  e  Sofijes, Selanikut dhe e RMV-së. Solistë janë: Ana Durllovski, Nikollas Spanos - tenor nga Greqia dhe Ivo Jordanov nga Republika e Bullgarisë. Do të performojë edhe kori i baletit të Maqedonisë, kori i fëmijëve nga shkolla e muzikës në Selanik.”, - deklaroi drejtori i Filharmonisë së RMV-së, Mustafa Imeri.

“Këtë iniciativë e nisëm para tre vitesh dhe fillimisht ia prezantuam ministrit të Kulturës së Greqisë, i cili e pranoi dhe e mbështeti pa rezerva. Ideja ishte të ndërtonim ura bashkëpunimi mes artistëve të Ballkanit. Besojmë se Ballkani ka potencial dhe talent të jashtëzakonshëm, por fatkeqësisht ajo që na mungon është se nuk kemi mësuar të punojmë së bashku. Këtë duhet ta ndryshojmë.”, - theksoi drejtori i Filarmonisë së Selanikut, Simos Papanas.

Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, theksoi se filarmonia e Maqedonisë ishte nismëtare e idesë për filarmoninë ballkanike.

“Më shumë se dy dekada më parë, pikërisht Filarmonia e Maqedonisë ishte nismëtarja e idesë për Filarmoninë Ballkanike, duke bashkuar muzikantë nga rajoni në emër të artit dhe vlerave të përbashkëta. Besoj se më 20 qershor nuk do të jemi dëshmitarë vetëm të një interpretimi të jashtëzakonshëm të një kryevepre. Do të jemi dëshmitarë të fuqisë së kulturës për të bashkuar, për të afruar dhe për të na kujtuar se ajo që na lidh është gjithmonë më e madhe se ajo që na ndan.”, - u shpreh ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.

Drejtori i Filarmonisë, Mustafa Imeri theksoi se në koncertin më 20 qershor në skenë do të ngjiten rreth 250 interpretues. (Rejhane Metaj, TVM2)