Maqedoni

Promovim në ITKSH, librat për Fishtën dhe Gjeçovin edhe në Shkup

11.06.2015 16:11

Dy librat e fundit të autorit Dom Viktor Sopi, “Fishta dëshmi e identitetit shqiptar” dhe “Gjeçovi-tradita dhe qytetërimi shqiptar”...

Dy librat e fundit të autorit Dom Viktor Sopi, “Fishta dëshmi e identitetit shqiptar” dhe “Gjeçovi-tradita dhe qytetërimi shqiptar”, pas promovimit në Kosovë dhe Shqipëri, vijnë edhe për lexuesit në Maqedoni. Sot librat u promovuan në Shkup nga Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë. 
 
“Këto dy figura janë spikatur në historinë dhe të kaluarën shqiptare si figura të bashkimit të afrimit të popullit shqiptar dhe që ka rezultuar që edhe ditët e sotme të kemi një frymëzim të tillë, që shqiptarëve më së shumti u nevojitet bashkimi dhe afrimi si në aspektin kombëtar, politik dhe fetar, që populli shqiptar synon të shkojë në institucionet euroatlantike”- deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
“I vetëdijshëm se për këtë libër do të thuhet ende shumë, më gëzon fakti se edhe Dom Viktori njësoj si Gjecovi e pararendësit e tjerë të tij del përtej zhgunit, përtej petkut të klerikut, i bindur se Zoti obligon për dashuri e përkushtim ndaj atdheut, siç e thotë autori në libër, ndryshe nuk do të ishte as besimtar, as klerik i mirë e as shqiptar i mirë”- tha studiuesi i letërsisë, Sar Gjergji.
 
“Mendoj se termi tolerancë fetare nuk e shpërfaq atë që e synonte Fishta dhe atë të cilën e predikon qoftë feja e krishtere apo islame. Fetarët e vërtet s’kanë nevojë të tolerohen mes veti, ata ushqejnë dashuri mes veti”- theksoi Zeqirija Ibrahimi nga ITKSh.
 
Autori tha se në botimet e tij është përfshirë lirikja, epikja dhe komikja e Fishtës dhe puna krijuese e Gjeçovit në sistemimin e vlerave të kanunit të Lekë Dukagjinit.   
 
“Në qytetin e Nënë Terezës, në vatrën e shumë emrave që bëhen dëshmi për identitet ku edhe jemi të bashkuar bashkë me profilin e Fishtës dhe të Gjecovit, unë mora shumë ushqim shpirtëror, vërtet nuk dua të ndalem të elaboroj disa mendime nga panelistët, vërtet ishin të thellë, të thadruar në profilin tim më së pari njerëzor, atëherë dhe si mision që kam të veçantë atmen e fesë, siç na mësojnë këto dy figura aq markante”- u shpreh autori i botimeve, Dom Viktor Sopi.  
                                                              
Shtjefën Gjeçovi ishte frat françeskan, veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar.
 
Kryevepra e tij, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar.
 
Ndërkaq “Lahuta e Malcis”, kryevepra e poezisë epike shqiptare e Gjergj Fishtës, i dha atij epitetin Homeri Shqiptar.
 
Fishta, veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj.
 
VLORA LAITIFI-TOPOJANI