Tramp: Është arritur marrëveshje e madhe me Iranin

12.06.2026 18:04

Lufta mes ShBA-së dhe Iranit ka përfunduar....

Lufta mes ShBA-së dhe Iranit ka përfunduar. Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se është arritur një “marrëveshje e madhe”, për të cilën ka dhënë pëlqim edhe udhëheqësi suprem iranian.

Pjesa kyçe e marrëveshjes është heqja dorë e Teheranit nga armët bërthamore, ndërsa ShBA-ja do të heqë bllokadën dhe do të mundësojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

“Do të ndodhë së shpejti, ndoshta që këtë fundjavë. Ata nuk do të kenë armë bërthamore. Nuk do të blejnë, zhvillojnë apo posedojnë armë bërthamore në asnjë formë. Janë pajtuar me këtë. Është një memorandum mirëkuptimi shumë i fortë, që është pak konceptual, por që do të zbatohet.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

MPJ e Iranit: Është harmonizuar teksti, ende nuk ka marrëveshje

Autoritetet iraniane thonë se teksti i marrëveshjes është pothuajse tërësisht i harmonizuar, por marrëveshje përfundimtare ende nuk është arritur.

“Sa i përket tekstit, mund të them se ai është kryesisht i finalizuar. Problemi është se kundërthëniet në qëndrimet e Amerikës kanë shkaktuar turbulenca në këtë proces. Ne ende nuk kemi arritur në një përfundim për këtë çështje. Çështja po shqyrtohet nga institucionet përkatëse dhe nëse arrihet një përfundim, do të informohemi.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagai.

Barot: Marrëveshja do të ishte një lajm i mirë

Mediat ndërkombëtare kanë njoftuar se një ceremoni e mundshme nënshkrimi për një memorandum mirëkuptimi mes ShBA-së dhe Iranit pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës. Ndërsa lajmi për arritjen e marrëveshjes është mirëpritur në Evropë.

“Nëse është arritur një marrëveshje, ky është një lajm shumë i mirë që mund t’i japë fund një situate të paqëndrueshme, e cila në fund nuk ka prodhuar asgjë tjetër veç humbësve. Kjo do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe fillimin e negociatave për kuadrin e programit bërthamor iranian.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Francës, Zhan Noel Barot.

Menjëherë pas lajmit për arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës mes ShBA-së dhe Iranit është ulur çmimi i naftës në berzat botërore në më pak se 90 dollarë për barel. (Gyltene Sinani, TVM2)