Arsim, filloi regjistrimi në shkolla të mesme

12.06.2026 18:09

Data e 12 qershorit shënon fillimin e periudhës...

Data e 12 qershorit shënon fillimin e periudhës së parë të regjistrimit të nxënësve në vitin e parë të arsimit të mesëm për vitin akademik 2026/2027.

Nxënësit, të cilët me sukses kanë përfunduar shkollimin fillor, do të kenë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike, ndërsa dokumentacionin e nevojshëm do ta dorëzojnë në shkollat e mesme në të cilat aplikojnë.

Sipas konkursit, të cilën e ka hapur Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në muajin qershor janë planifikuar dy regjistrime elektronike. I pari zgjat nga 12 deri më 15 qershor në mesnatë, ndërsa regjistrimi i dytë është planifikuar për 23 qershor. Në periudhën e regjistrimit të gushtit do të ketë një regjistrim, më 20 gusht.

“MASh-i rikujton, se nga data 12 qershor do të fillojë regjistrimi në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2026-2027. Aplikimi, ashtu si edhe në vitet e kaluara, bëhet në mënyrë elektronike dhe realizohet përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, ku nxënësit identifikohen me llogaritë ekzistuese të përdoruesve në schools.mk. Regjistrimi i parë i nxënësve në afatin e qershorit do të realizohet nga data 12 deri më 15 qershor, ndërsa dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla do të realizohet më 16 dhe 17 qershor. Listën përfundimtare të renditjes me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira, shkollat duhet ta publikojnë më 18 qershor. Regjistrimi i dytë në afatin e qershorit është më 23 qershor, ndërsa dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla është më 24 qershor. Regjistrimi i tretë është më 20 gusht.”, thuhet në komunikatën e MASh-it.

Me konkurs parashikohen mbi 25 mijë vende të lira në të gjitha 109 shkollat e mesme publike në vend. Nga këto, më shumë se 17.000 janë për arsimin profesional, gati 6.000 për arsimin e mesëm dhe 570 vende në shkollat artistike.

MASh-i po ashtu informon se për nxënësit, ndihmë e madhe gjatë zgjedhjes mund të jetë udhëzuesi online për kualifikime në faqen e internetit kvalifikacii.crso.gov.mk, i cili do t’u mundësojë të sjellin vendim informues dhe të drejtë për profesionin, në të cilin do të vazhdojnë edukimin. (Fitim Kryeziu, TVM2)