Zgjedhjet e mundshme sipas Micksokit, LSDM: Mundohet t’i fshehë dështimet ekonomike

12.06.2026 18:11

Pas njoftimit të kryeministrit Hristijan Mickoski...

Pas njoftimit të kryeministrit Hristijan Mickoski për mundësi për zgjedhje të parakohshme parlamentare, LSDM-ja konsideron se kjo ide e hedhur nga shefi i ekzekutivit bëhet me qëllim që ai t’i mbulojë dështimet e tij, e që kryesisht kanë të bëjnë me gjendjen financiare dhe ekonomike në shtet. Sipas funksionarit të socialdemokratëve, Zhernovski, arka shtetërore është e zbrazur.

“Dëshiron të caktojë zgjedhje që ta fshehë gjendjen  reale të buxhetit të zbrazur, se kemi arkë të zbrazët shtetërore që u zbraz përmes tenderëve të vjedhur. Por, edhe për premtimet e paplotësuara, që më së tepërmi prek qytetarët, e që është rritja e varfërisë dhe që ne realitet në shtetin tonë kemi gjendje katastrofale ekonomike.”, - deklaroi Andrej Zhernovski nga LSDM.

Ngecja e eurointegrimeve, LSDM: Nuk ka zhvendosje, po humbim shansin

Zhernovski komentoi edhe takimet e fundit dypalëshe mes Shkupit dhe Sofjes. Sipas tij, pritshmëritë ishin për ndonjë rezultat më konkret, e që realisht, nuk ndodhi.

“Pritëm rezultate më konkrete nga ai takim, nuk shohim asnjë lloj zhvendosjeje nga ajo që u tha. Presim që si shtet të mirëkuptohemi, presim edhe Bullgaria të tregojë mirëkuptim. Është për keqardhje që s’mund ta shfrytëzojmë as këtë shans që të hymë përfundimisht në BE. Është për keqardhje që Bullgaria lëshon shansin për të pasur fqinj me të cilin do të bashkëpunojë, megjithatë, edhe nga njëra edhe nga tjetra presim rezultate konkrete, sepse ne nuk kemi kohë për të pritur.”, - theksoi Andrej Zhernovski nga LSDM.

VMRO: Ndryshimet kushtetuese hapin kutinë e Pandorës

Ndërkohë VMRO-DPMNE vazhdon të akuzojë LSDM-në për dëmet që ia ka sjellë shtetit, duke u referuar në marrëveshjen që diktojnë ndryshimet kushtetuese.

Sipas VMRO-së, kërkesat e fqinjit lindor nuk mbyllen vetëm me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, por se më pas vijojnë edhe kërkesa të tjera.

Të gjithë këto vetëm për Filipçen janë të pranueshme, thotë Brane Petrushevski nga partia maqedonase në pushtet.

“Me ndryshimet kushtetuese hapet kutia e Pandorës, ndërkaq kjo i konvenon vetëm Bullgarisë dhe Filipçes. Marrëveshjen kapitulluese që e ka nënshkruar LSD-ja, e që është i keq për Maqedoninë, ndërkaq i mirë për Bullgarinë, është argument i diplomacisë së nënshtruar që e udhëhoqën politikanë të pasuksesshëm dhe të korruptuar të qeverisë së kaluar të LSD-së dhe BDI-së. Hapi i parë janë ndryshimet kushtetuese e më pas vijnë dorëheqja nga identiteti, ridefinimi i historisë dhe mohimi i gjuhës.”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO –DPMNE.

Një ditë me parë, kryeministri Mickoski tha se në kontestin dypalësh me Sofjen,  nuk janë vetëm përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, por edhe plani aksionar, puna e komisionit historik, protokolli i dytë, që sipas shefit të ekzekutivit, kjo e fundit  përfshin një sërë kërkesash që kërkojnë t’i implementojë vendi ynë. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)