Stamboll, Forumi ekonomik RMV - Turqi
Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e tregtisë....

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e tregtisë, tërheqja e investimeve të reja, përmirësimi i lidhjes infrastrukturore, bashkëpunimi në energji dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike janë fokusi i Forumit Ekonomik që po mbahet në Stamboll, në të cilin po merr pjesë një delegacion qeveritar nga Maqedonia.
Turqia është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë dhe tërheqja e investimeve të reja dhe rritja e tregtisë midis dy vendeve mbetet një përparësi dhe në interes të veçantë për vendin tonë, tha mes tjerash në fjalimin e tij kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
“Ballkani Perëndimor duhet që në mënyrë më aktive të pozicionohet si partner ekonomik i Bashkimit Evropian, në vend që të jemi vetëm si rajon i cili vetëm do të kërkojë investime. Kurse fokusi duhet të jetë në ofrimin e ofertës së përbashkët rajonale, nga energjetika dhe infrastruktura, deri tek prodhimet industriale dhe transformimit digjital.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Në forumin ekonomik në Stamboll po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të partneriteteve të reja ndërmjet dy vendeve. Tregtia midis Maqedonisë dhe Turqisë vitin e kaluar arriti në një miliard dollarë amerikanë, që është një rezultat i rëndësishëm dhe një nxitje për qëllime edhe më ambicioze në të ardhmen, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski.
“Diplomacia ekonomike nuk është vetëm plotësim i politikës së jashtme, por është thelbi i saj. Diplomacia e suksesshme, sot nënkupton më shumë investime, më shumë eksport, tregje të reja, dhe mundësi konkrete për kompanitë dhe qytetarët.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Me një prani të konsiderueshme të kompanive turke në industri, infrastrukturë, banka, arsim dhe turizëm, të cilat kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, Turqia është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të vendit. Ministrja Bozhinovska prezantoi mundësitë e ofruara nga Maqedonia në energji, miniera dhe minerale.
“Maqedonia është e përgatitur dhe ambicioze për të investuar në kapacitete të reja energjetike, sepse energjetika sot nuk është vetëm çështja ekonomike, por çështje e sigurisë, stabilitet.”, - theksoi ministrja për Energjetikë, Sanja Bozhinovska.
Rritje më e madhe ekonomike përmes investimeve tremujore, politikës së qëndrueshme të energjisë, digjitalizimit, mbështetjes për sektorin privat dhe integrimit më të madh ekonomik rajonal, ishin përfundimet e këtij forumi. (Fitim Kryeziu, TVM2)
