Maqedoni
Ambasadorja franceze, Lorenc Oer, fton për vazhdimin e dialogut deri në marrëveshje
11.06.2015 16:17
Pas përfundimit pa sukses të takimit të mbrëmshëm në Bruksel mes liderëve të partive politike në vend dhe zyrtarëve të BE-së...

Pas përfundimit pa sukses të takimit të mbrëmshëm në Bruksel mes liderëve të partive politike në vend dhe zyrtarëve të BE-së, ambasadorja e Francës në vend, Lorenc Oer, ka deklaruar se përkrah propozimin e eurokomisarit Hahn për daljen e vendit nga kriza, si dhe njëherit ka ftuar politikanët vendorë të vazhdojnë bisedimet deri në gjetjen e zgjidhjes.
Edhe pse bisedimet nuk dhanë rezultate, Oer ka ftuar partitë politike të angazhohen rreth organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, siç u parapa në marrëveshjen më 2 qershor, si mundësi për tejkalimin e krizës.
“Ne e përkrahim eurokomisarin Hahn dhe potencojmë se bisedimet duhet të vazhdojnë në këtë format, që të jepet shans për të gjetur konsensus për krizën politike. BE ka kërkuar nga Maqedonia që t’i plotësojë disa kritere lidhur me ngjarjet e fundit në vend, si dhe të gjendet vendim ligjor për rastet në fjalë”- tha ambasadorja e Francës në vend, Lorenc Oner.
Për gjendjen politike në Maqedonisë nga Oksfordi ka komentuar edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Kosias.
Ai mes tjerash ka thënë se Maqedonisë i mungon elementi i demokracisë, si dhe respektimi i vlerave evropiane.
Madje, gazeta greke “Katimerini” shkruan se Maqedonia dalëngadalë po shndërrohet në faktor destabiliteti në Ballkan.
Ndërkaq, Radio Televizioni i Serbisë e ka quajtur eurokomesarin Hahn të pafuqishëm ngaqë, sipas tyre, lejoi kriza të mos zgjidhet, gjersa televizioni bullgar e ka quajtur “politikë pa dalje” situatën në Maqedoni.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
